Këshilli Lokal Bubavec-Kijevë-Stapanicë ka bërë thirrje për reagim urgjent ndaj ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike në fshatrat e Komunës së Malishevës.
Kryetari i Këshillit, Bedri Kryeziu, ka kërkuar që Kryetari i Komunës, z. Ekrem Kastrati, udhëheqësit e KEDS-it për Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë, si dhe të gjitha institucionet përkatëse, të ndërmarrin masa të menjëhershme për të ndaluar këtë diskriminim të qytetarëve, veçanërisht gjatë ditëve të ftohta të dimrit.
Sipas njoftimit të Këshillit Lokal, sot, më 18 janar 2025, fshatrat Bubavec, Kijevë, Stapanicë, Mleqan, Llozicë, Balincë, Gullbovcë, Plloqicë dhe Lubizhdë kanë qenë pa energji elektrike nga ora 9:00 deri në 18:00. Po ashtu, është njoftuar se do të ketë ndërprerje të tjera të energjisë elektrike edhe më 21 janar 2025, po nga ora 9:00 deri në 18:00. Këshilli Lokal ka shprehur shqetësimin se qytetarët janë të lodhur dhe të pakënaqur nga kjo situatë dhe ka kërkuar që punimet për rregullimin e tensionit të lartë të shtyhen deri sa të stabilizohet moti dhe ndërprerjet të jenë sa më të shkurtra, jo më shumë se 3 orë.
Në fund, Këshilli Lokal i bëri apel institucioneve përkatëse të reagojnë dhe të ndihmojnë për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë për këtë problem, duke theksuar se këto vendime nuk janë marrë nga KEDS-Malishevë, por nga qendrat kryesore në Gjakovë dhe Prishtinë.