Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Këshillat amerikane që po hasin në vesh të shurdhër

Këshillat amerikane që po hasin në vesh të shurdhër

Shkruan: Afrim Kasolli

Që kur i ka fituar zgjedhjet presidenciale, por veçanërisht pasi e ka marr drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, një sërë analistësh dhe ish- diplomatësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke e rekomanduar Kosovën që të krijojë sa më shpejt dhe në mënyrë urgjente lidhje diplomatike me rrethin e ngushtë administratës Trump. E tëra kjo duke marr parasysh sjelljen jo konvencionale dhe jo tradicionale të Presidentit amerikan në politiken e jashtme. Qasja e tij transaksionale, në vend të mbrojtës se vlerave dhe normave ndërkombëtare, ka shkaktuar trandje politike veçanërisht te shtetet aleate të Uashingtonit.  Lehtësia e tij për ta përkufizuar liderin ukrainas Vlodyrmyr Zelensky, si diktator që e mban pushtetin pa zgjedhje (ndonëse me vonë e tërhoqi këtë cilësim) si dhe detyrimi i këtij të fundit për ta pranuar “diktatin” amerikan me qëllim shfrytëzimin e mineraleve kritike, si dëmshpërblim për asistencën ushtarake dhe ekonomike ndaj Ukrainës për ta përballuar agresionin rus,  tregojnë për linjat e projektit të tij “Amerika e para”. Ku tash e tutje, sipas prizmit të Uashingtonit, askush nuk mund ta sigurojë mbështetjen e këtij të fundit falas. Përndryshe ai nuk e ka problem t’i braktis aleatet. Madje, ndaj tyre ka paralajmëruar tarifa tregtare, pa e bërë dallimin edhe me rivalet strategjik, si Kina.

Në këtë kontekst, edhe raporti  ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së nuk duhet të merret si i mirëqenë dhe i garantuar përjetësisht. E ku e para pavërisht sjelljeve të së dytës do të sillet si prindi që i falë gabimet e fëmijës,  vetëm nga dashuria prindërore. Sepse në fund të fundit nuk ka si ta braktis krijesën e tij për shkak të “dhembshurisë biologjike”. Por më Donal Trumpin në krye të SHBA-ve, përkujdesja e këtij shteti për Kosovën duhet të mirëmbahet, ushqehet dhe kultivohet.

Kjo edhe është arsyeja që kohë më parë në një intervistë për mediumin Evropa e lirë, ish-ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter, kishte deklaruar atëbotë, se Kurtit (nëse do ta drejtojë Qeverinë e Kosovës) do t’i duhet të punojë shumë për të krijuar lidhje personale me njerëzit në administratën Trump. Kurse Vuçiq në këtë drejtim ka bërë punë më të mirë në të kaluarën. Për më shumë Kryeministri i Kosovës, aktualisht ka një disavantazh, sepse këtu ka një histori të lidhjeve personale. Vuçiq ka qenë te Trumpi në Shtëpinë e Bardhë. Ka një histori të marrëveshjeve biznesore. Ka premtime se do të ketë investime në rrugën kryesore në Beograd, në ndërtimin e një hoteli luksoz”. E të mos flasim Richard Grenell-in, “i cili së bashku me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan kanë shfaqur interes të madh për investime në Shqipëri, në Serbi etj” si dhe mos marrëveshjet e vazhduese me shefin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë linjë, pak a shumë për të njëjtin medium, është shprehur  edhe ish-diplomati tjetër amerikan, James Hooper. Ai ka pohuar  “se gjëja e parë që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës, është t’i riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Deri më tani sipas tij, Uashingtoni ia “kanë tërhequr disa herë vërejtjen Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, për shkak të disa veprimeve – që ato i kanë konsideruar si të pakoordinuara – në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Me ato lëvizje, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Kosova ka vënë në pikëpyetje partneritetin mes dy vendeve. Prandaj, “Kosova duhet të komunikojë më mirë me Uashingtonin dhe të mos i japë leksione, sepse “është shumë e rrezikshme për Kosovën kur amerikanët e shohin atë si problem”.

Mirëpo, këto këshilla miqësore deri më tani thuajse kanë hasur në vesh të shurdhër veçanërisht te Qeveria në detyrë. Kryeministri Kurti i ka quajtura këto raporte të shkëlqyera dhe se kurrë më të mira nuk kanë qene. Madje, duke vazhduar të jetojë i zhytur në një realitet paralel dhe plotësisht indiferent  ndaj këtyre kumteve shqetësuese. /TV Arbëria