Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për R.M, shtetas i Shqipërisë, i akuzuar për 11 raste të vjedhjeve në rrethinën e Gjakovës.
I pandehuri akuzohet se gjatë këtij muaji në 9 raste kishte arritur të kryente vjedhje ndërsa 2 raste të tjera i kishin mbetur në tentativë.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.M., nga data 06.07.2025, e gjerë me dt.15.07.2025, në rajonin e Gjakovës, duke përfshirë edhe fshatrat e Komunës së Gjakovës, në njëmbëdhjetë (11) raste të evidentuar deri më tani, duke depërtuar me forcë në hapsirat e mbyllur, pikërisht në shtëpit e të dëmtuarve, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, merr pasurinë e personit tjetër, në nëntë (9) raste të dëmtuarve ju shkakton dëme materiale, ndërsa në dy (2) raste, veprimet e tij përkatësisht për përvetësim të pasurisë së luajtshme ka mbetur në tentativë.”, thuhet në njoftim.
I pandehuri që nga data 16 korrik 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartëcekur.