Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kërkohet kompensim për punëtorët që vdesin në vendin e punës

Kërkohet kompensim për punëtorët që vdesin në vendin e punës

Mbi 60 inspektorë të punës, të shpërndarë në shtatë rajone të Kosovës, inspektojnë kushtet në të cilat punojnë punëtorët.

Ky numër i inspektorëve për gjashtë muaj të këtij viti kanë kryer rreth 6 mijë inspektime, që përfshijnë edhe shqiptimin e masave ndëshkuese.

Shifra të tilla, janë për herë të parë që bëhen nga Inspektorati i Punës, si rezultat i shtimit të kapaciteteve.

“Për periudhën janar – qershor të këtij viti, janë realizuar 5960 inspektime, pra 2285 inspektime më shumë se vitin e kaluar për të njëjtën periudhë janar – qershor, e për këtë periudhe janë shqiptuar 787 masa ndëshkimore. Pra, 385 masa ndëshkimore më shumë se vitin e kaluar për të njëjtën periudhë. Pra, kemi një rritje të dukshme të numrit të inspektimeve dhe numrit të masave ndëshkimore“, tha kryeinspektroi i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

Mirëpo, përkundër këtyre inspektimeve, ka raste të parregullsive dhe mospërmbushjes së kushteve të punës, sidomos për punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë.

Rrjedhimisht, nuk janë të rralla kur punëtorët e pësojnë me fatalitet.

E pikërisht për këto raste, po kërkohet nga institucionet qendrore që të ndihmojnë familjet, që humbin anëtarët e tyre në vendin e punës.

“Për familjen nuk ka mjet monetare që e përmbush mërzinë që e kanë ata. Dhe kemi kërkuar që për çdo rast që humb jetën puëntori në vendin e tij të punës, të kemi një kompensim prej rreth 5 mijë euro. Ne kemi pasur raste dhe besoj se do të kemi dhe raste tjera, që ndoshta për këtë punëtor ka qenë problem ceremonia e varrimit dhe ceremonia e të pamurit“, tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Qeveria nuk ka dhënë qëndrim për këtë kërkesë të kahmotshme të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.