Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kërkohet angazhim më i madh për zbardhjen e fatit të të zhdukurve në luftë

Kërkohet angazhim më i madh për zbardhjen e fatit të të zhdukurve në luftë

Çështja e të zhdukurve gjatë luftës është plaga më e madhe e Kosovës, e procesi i zbardhjet së fatit të tyre vlerësohet sfidues.

Telashet e këtij procesi marrë parasysh hezitimin e Serbisë për të bashkëpunuar, ishin ndër aspektet që u diskutuan të shtunën në forumin e 16-të për Drejtësi Tranzicionale në vendet që dikur kanë qenë pjesë e Jugosllavisë.

Në këtë diskutim në Prishtinë, shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Agim Gashi u bëri thirrje palëve që të kërkojnë informata të reja për vendodhjen e të zhdukurve.

“Ky kërkim duhet të përfshijë shpërndarjen e arkivave dhe të të dhënat për varrezat e mundshme. Çka ndihmon, duhet të ofrohet pa asnjë kusht. Autoritetet përkatëse duhet të rrisin mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve të komisioneve, të përshpejtohet procesi i kërkimit dhe zhvarrimit. Është obligim i qeverive të adresojnë këto çështje”, ka thënë Agim Gashi.

Ky angazhim, sipas komisionit qeveritar për personat e zhdukur, nuk mungon nga ana e Kosovës.

“Duhet theksuar që komisioni qeveritar mbetet jo vetëm i angazhuar por edhe akterë për të qetësuar familje që kanë vuajtur më shumë se dy dekada për fatin e të dashurve të tyre. Angazhimi ynë ka qenë dhe të jetë gjithmonë pa dallime etnike,gjinore, fetare apo tjetër”, ka thënë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

E nga institucioni që merret drejtpërsëdrejti me mostrat, u përmend edhe çështja e mbetjeve mortore të paidentifikuara deri tani.

Drejtuesi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti thotë se sipas, hipotezës së komisionit të formuar enkas për këtë, problemi gjendet tek dokumentimi në kohën e luftës.

“Çka duhet të dijnë familjarët për këto raste, mostrat janë dërguar në ACMP mirëpo nuk ka databazë në të që i identifikon. Është një problem. Kjo sipas hipotezës sonë lidhet me punën e bërë në të kaluarën nga organizatat ndërkombëtare e tribunali ndërkombëtar i Hagës. Qëllimi kryesor ka qenë dokumentimi i krimeve të luftës, grumbullimi i dëshmive dhe në plan të dytë, identifikimi i të zhdukurve”, ka deklaruar Ditor Haliti, U.D i Drejtorit të IML-së.

Sipas të dhënave, 1 mijë e 617 persona konsiderohen akoma të zhdukur me forcë nga lufta e fundit në Kosovë.