Kushtrim Berisha, familjar i heroit Ruzhdi Berisha, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani pasi e njëjta ka ndarë medaljen presidenciale të meritave për Ruzhdi Berishën.
Berisha me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se kërkesa e familjarëve ka qenë që Ruzhdi Berisha të shpallet Hero i Kosovës.
“Ne si famlijar, pa dashur të nënvlerësojmë këtë nderim, duhet të themi gjithashtu, se kërkesa ka qenë që Ruzhdi Berisha të shpallet Hero i Kosovës, ashtu siç në fakt e meriton. Medalje e meritave për një dëshmor mendojmë se nuk është në harmoni me statusin dhe kontributin e Tij. Medalje për merita që ke dhënë jetën!! Mund të jep njeriu më shumë se kaq?!
Liria e munguar me vite të tëra, kërkonte gjakun e bijëve të mirë të atdheut. Ruzhdi Berisha ishte i gatshëm gjithmonë për këtë sakrific. Dhe e bëri. Ai me gjas nuk ka nevojë për dekorata, ai është vet dekorat për brezat e ardhshem.
Kosova, shteti ynë, vazhdon t’i ketë përpëlitjet e saj. Neve të gjallëve, shebulli i Ruzhdi Berishës sikurse edhe i të gjithë dëshmorëve tjerë, do duhej të na kthjellë, duhet të na fisnikrojë, që të punojmë për të mirën e vendit tonë, duke lënë anash ndasitë e hasmëritë.
Duajeni Kosovën deri në dhembje, duajeni deri në vdekje”, thuhet në reagimin e familjarit. /Insajderi.org/
