Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kërkesa e Prokurorisë së Specializuar për dënime 45-vjeçare ndaj krerëve të UÇK-së është akt politik i maskuar si drejtësi

Kërkesa e Prokurorisë së Specializuar për dënime 45-vjeçare ndaj krerëve të UÇK-së është akt politik i maskuar si drejtësi

Shkruan:Basri Beka
Nuk mbështetet në standardet e provës penale, por në një narrativë të importuar prej propagandës serbe dhe të përpunuar përmes dëshmive të dyshimta, përgjithësimeve kolektive dhe interpretimeve të zgjeruara të “përgjegjësisë komanduese”.
E drejta penale ndërkombëtare njeh një parim themelor: fajësia është individuale dhe provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Këtu po bëhet e kundërta. Po ndërtohet përgjegjësi mbi ekzistencën e një ushtrie çlirimtare dhe mbi rrethanën e luftës, sikur vetë fakti i organizimit të rezistencës kundër një regjimi që kreu spastrime etnike të përbëjë krim.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e rendit juridik të Kosovës. Neni 22 i Kushtetutës i obligon të respektojnë plotësisht Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e gjykimit të drejtë. Një proces i mbështetur në dëshmitarë të mbrojtur të pakontrollueshëm publikisht, në interpretime elastike të zinxhirit komandues dhe në konstruksione akuzuese që afrohen me fajësi kolektive, bie ndesh me këto standarde. Kjo nuk është drejtësi penale klasike; është drejtësi selektive.
Në realitet, nuk po gjykohen vetëm katër persona. Po tentohet të delegjitimohet lufta çlirimtare e Kosovës duke e paraqitur rezistencën si projekt kriminal për pushtet. Ky është devijim historik dhe juridik. Nuk mund të barazohet një lëvizje çlirimtare e një populli të dëbuar me aparatin shtetëror që ushtronte dhunë sistematike ndaj tij.
Një vendim i ndërtuar mbi këtë logjikë nuk do të prodhojë drejtësi e as pajtim. Do të prodhojë vetëm humbje besimi në drejtësinë ndërkombëtare dhe do të mbetet precedent i rrezikshëm: që drejtësia mund të përdoret për të rishkruar historinë përmes aktakuzës.
Drejtësia matet me prova, jo me narrativa. Nëse gjykimi largohet nga provat dhe hyn në interpretim politik të luftës, atëherë nuk kemi më gjykatë — kemi instrument.