Të hënën, Gianni Infantino, president i FIFA-s, paralajmëroi Francën, Gjermaninë, Italinë, Spanjën dhe Anglinë se ofertat për të drejtat televizive të Kupës së Botës për Femra 2023 (20 korrik-20 gusht) janë zhgënjyese. Për këtë arsye ai kërcënon se nuk do të japë të drejta transmetimi në Evropë
“Ofertat nga transmetuesit, kryesisht ato të “Big 5” evropian (Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Angli), janë gjithmonë shumë zhgënjyese dhe thjesht të papranueshme”, tha presidenti i FIFA-s, i cili parashtroi disa argumente.
“Së pari, 100% e të drejtave janë të destinuara për futbollin e femrave. Së dyti, transmetuesit publikë në veçanti kanë për detyrë të promovojnë dhe investojnë në sportin e grave. Së treti, audienca për Kupën e Botës për femra është rreth 50-60% e atyre për Kupën e Botës për meshkuj. E megjithatë, ofertat e transmetuesve janë 20 deri në 100 herë më të ulëta. Kohët e fundit, ku transmetuesit ofrojnë 100 deri në 200 milionë dollarë për Kupën e Botës për meshkuj, ata ofrojnë vetëm 1 deri në 10 milionë dollarë për femrat.”, theksoi ai.
Gianni Infantino njihet si një mbrojtës i madh i kauzës së futbollit të femrave, derisa ka lëshuar një paralajmërim ndaj transmetuesve publikë që nëse ofertat nuk rriten, nuk do t’iu jepet e drejta e transmetimit..
“Për të qenë shumë i qartë, është detyrim moral dhe ligjor të mos nënvlerësohet ky Botëror. Nëse ofertat vazhdojnë të jenë të padrejta, do të detyrohemi të mos transmetojmë Kupën e Botës për femra në këto 5 vendet e mëdha evropiane”, tha në fund ai.
Për herë të parë në histori, Kupa e Botës për femra është modeluar sipas modelit mashkullor (32 kombe, 64 ndeshje).
/TV Arbëria