Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kërcënohen me jetë prokurorja nga Peja dhe zëdhënësi – reagon KPK

Kërcënohen me jetë prokurorja nga Peja dhe zëdhënësi – reagon KPK

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas kërcënimit ndaj prokurores Lumturije Hoxha dhe zëdhënësit Shkodran Nikçi në Prokurorinë Themelore në Pejë, shkruan Insajderi.

Siç bëhet me dije, kërcënimi është bërë përmes telefonit që ka ndërlidhje me trajtimin e rastit të motrës së të dyshuarit me inicialet A.M.

“Prishtinë, 30 tetor 2024- Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), përmes këtij reagimi, dënojnë ashpër kërcënimin e bërë përmes telefonit ndaj prokurores Lumturije Hoxha dhe zëdhënësit Shkodran Nikçi në Prokurorinë Themelore në Pejë, kërcënim ky, që ndërlidhet me trajtimin e rastit të motrës së të dyshuarit me inicialet A.M”

KPK ka shtuar se përveç kërcënimit me telefon ka pasur edhe përcjellje me veturë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njoftojnë opinionin e gjerë publik se kërcënimi i bërë përmes telefonit dhe dyshimet për përcjellje me veturë kanë të bëjë me punët zyrtare që kryejnë znj. Hoxha dhe z. Nikçi, andaj me këtë rast janë ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë së bashku me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera për të nxjerrë sa më parë autorët e kësaj vepre penale para organeve të drejtësisë“.

“Gjithashtu, këto dy institucione të sistemit prokurorial, ua bëjnë me dije individëve të tillë që ndërhyjnë për të frikësuar prokurorët dhe stafin tjetër, me qëllimin e vetëm që të pengojnë zbatimin e ligjit në vend, se KPK dhe ZKPSH mbështesin fuqishëm prokuroren Hoxha dhe zëdhënësin Nikçi, në punën dhe misionin e tyre të hetimit të kryeseve të veprave penale dhe të zbatimit të transparencës para opinionit publik“.

Andaj, përmes këtij reagimi të përbashkët, KPK-ja dhe ZKPSH-ja, theksojnë përfundimisht se veprimet e tilla s’do të zmbrapsin asnjëherë përkushtimin, synimet dhe përpjekjet e pandalshme për fuqizimin e shtetit ligjor në Kosovë.

Theksojmë se javë më parë cak i kërcënimit ishte edhe prokurori Ersan Qavolli, pas sekuestrimit të mbi 1 ton lëndë narkotike në Pejë – aksion ky i kryer në fund të muajit të kaluar.

Powered by WordPress