Qeverisë së Kosovës i ka ardhur edhe një kundërshtim sa i përket vendimit të tyre për Transferimin e Kompetencave nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Administrative. Këtë transferim, Aleanca Kosovare Bizneseve e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik dhe për mundësitë e investimeve të huaja në Kosovë.
Aleanca Kosovare Bizneseve (AKB) po e kundërshton këtë vendim, pasi siç thonë ata, trajtimi i çështjeve ku janë palë bizneset është i gabuar dhe i dëmshëm, raporton Paparaci.
Sipas një reagimi të kësaj organizate, ky vendim shfaq një mungesë të rëndë të ndjeshmërisë dhe kuptimit të nevojave të komunitetit të biznesit dhe rrezikon të dëmtojë rëndë mjedisin e biznesit në Kosovë.
AKB thekson se “Gjykata Komerciale është një institucion kyç në ofrimin e një mjedisi më të drejtë dhe efikas për zgjidhjen e çështjeve të biznesore. Propozimi për t’i hequr këto kompetenca është një akt i pashpjegueshëm i qeverisë, i cili nënkupton një mospërfillje të hapur të vlerave dhe parimeve që kanë ndihmuar në ngritjen e Gjykatës Komerciale si një institucion vital”.
Kjo organizatë tutje thotë se transferimi i kompetencave nuk është thjesht një çështje administrative por është një kërcënim i drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik dhe për mundësitë e investimeve të huaja në Kosovë.
AKB i bën thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe institucioneve përgjegjëse që të rishikojnë me urgjencë këtë vendim joadekuat dhe të gabuar.
Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon që të ruhet mandati dhe kompetencat e Gjykatës Komerciale për trajtimin e lëndëve administrative të bizneseve, për të garantuar një trajtim të drejtë dhe efikas të çështjeve të tyre.
AKB i bënë thirrje udhëheqësve tanë që të veprojnë me mençuri dhe të marrin vendime që mbështesin rritjen ekonomike besimin dhe stabilitetin e mjedisit të biznesit në Kosovë.
“Kthimi mbrapa i këtyre vendimeve jo vetëm që do të ishte një zhgënjim, por edhe një dështim strategjik i qartë për të ardhmen e vendit tonë Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi i AKB-së.
Ky vendim i Qeverisë është konsideruar si manovër e rrezikshme që mund të çojë në një rritje të kontrollit qeveritar mbi sistemin gjyqësor, veçanërisht mbi çështjet që prekin direkt bizneset.
Themelimi i kësaj gjykate të re, i cili përfshin transferimin e kompetencave nga Gjykata Komerciale, ka ngritur dyshime serioze mbi motivet e qeverisë.
Shumë vëzhgues dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit shohin këtë lëvizje si një mundësi për qeverinë të ushtrojë ndikim më të madh mbi zgjidhjen e çështjeve administrative dhe tregtare, të cilat deri më tani kanë qenë nën juridiksionin e një gjykate më të pavarur dhe të specializuar.
Gjykata Komerciale, e themeluar pas një fushate avokimi të fortë nga komuniteti i biznesit dhe e mbështetur nga qeveritë e kaluara, ka qenë një institucion i bazuar në analiza të qarta dhe nevoja specifike të sektorit komercial. Ajo ka ofruar një mjedis të drejtë dhe efikas për zgjidhjen e kontesteve komerciale.
Por, me transferimin e kompetencave të saj tek një gjykatë e re administrative, ka një rrezik të madh që kjo të çojë në një proces të gjatë dhe të komplikuar gjyqësor, i cili mund të jetë i ndikuar nga interesat qeveritare dhe të cenojë pavarësinë e vendimeve. Rritja e ndërhyrjes qeveritare në zgjidhjen e çështjeve komerciale përmes një gjykate administrative të re nuk është vetëm një hap prapa në efikasitetin gjyqësor, por gjithashtu një kërcënim i qartë për parimin e pavarësisë së drejtësisë.