Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu siç pritej, vizita e Presidentit Erdogan në Shqipëri u shoqërua me “tensione” ndërmjet dy liderëve për shkak të konfliktit në Rripin e Gazës ndërmjet Forcave Mbrojtëse të Izraelit dhe Hamasit.
Presidenti Turk deklaroi se “agresioni i Qeverisë së Natanyhau është bërë një kërcënim për rendin global. Gjenocidi që po vazhdon prej një viti në Gazë është turpi i përbashkët i njerëzimit, ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për armëpushim të përhershëm për të bërë presion mbi Izraelin, besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim.
Ndërkohë, kryeministri Rama pohoi të kundërtën se “vendi i tij e mbështet idenë për një armëpushim, por shtoi se në këtë pikë ndahen me qëndrimet e Turqisë, duke shtuar se Hamasi dhe çdo burim i terrorizimit është i patolerueshëm”.
Kam shkruar edhe më herët për “armiqësinë” që ka lindur ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, për politikat e Izraelit në Lindje të Mesme. Media të afërta më pushtetin e liderit turk kanë shkruar se si “Serbia dhe Shqipëria janë duke mbështetur Tel Avivin, me armatim dhe naftë dhe se të njëjtat nuk i kanë dënuar veprimet e trupave ushtarake izraelite në enklavën e Gazës, kundër popullsisë civile.
Pra shihet qartë se Ankaraja zyrtare nuk është ndjerë rehat me këto zhvillime. Kurse, këtë përcaktim strategjik të këtyre shteteve e ka perceptuar edhe si humbje të influencës sa saj në rajon. Ndërkohë, zhvillimet në Lindje të Mesme gjatë këtij viti, po ashtu, kanë dëshmuar se ky shtet nuk ka pasur ndonjë peshë të madhe në atë vatër të nxehtë gjeopolitike. E tërë beteja politike presidentit Erdogan është reduktuar në denoncimin e publik të veprimeve të Izraelit në Gaza, por jo që ka mundur t’u ofrojë ndonjë ndihmë konkrete. Duke e minuar kështu edhe imazhin e tij si një lloj “kalifi” politik dhe mbrojtjes i të drejtave të komunitetit myslimanë kudo që ata janë.
Ndërkohë, për të shmangur presionet e këtij tensioni, si duket kryeministri Rama u kujdes që këtë nevojë psikologjike të liderit turk ta plotësojë duke marr si shkas rastin e Kosovës, kur u shpreh me një deklarim paksa patetik, në mes të një atmosfere emocionale me rastin e hapjes së Xhamisë së Namazgjasaë, ndërtimit i së cilës është dhuratë e shtetit turk, se “Kosova s’mund të gjejë miq si Erdogani dhe Turqia”.
Është e vërtetë se është interes strategjik i shtetit të Kosovës që të ketë raporte të mira me Rubrikën e Turqisë. Ky shtet është vend anëtar i NATO-së, e cila përkujdeset për sigurinë e Kosovës. Po ashtu, edhe kultivimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet vete është interes jetik i dy vendeve. Mirëpo, pretendime të tilla të Edi Ramës, janë pretencioze dhe jo domosdoshmërisht mund të përputhen me realitetin.
Miqësia e Kosovës me Republikën Turke në masë të madhe kushtëzohet nga dinamikat e raporteve të kësaj të fundit me SHBA-të. Sepse, shteti i Kosovës nuk guxon të kërkojë miqësi tjetër më të madhe se sa me Uashingtonin. Shmangia e këtij kursi do të ishte me pasoja fatale. Atëherë me të vërtetë kjo do ta palestinizonte shtetin e Kosovës, dhe në këtë rast nuk do të mund t’i ndihmonin as Erdogani e asi Edi Rama.
Ndërkaq, kohën e fundit, Uashingtoni dhe Ankaraja kanë pasur jo pak fërkime, duke filluar që nga refuzimi i liderit turk për t’u shkëputur nga Vladimir Putini, furnizimi me herët me sistemin raketor rus S-400, si dhe distancimi nga vendet perëndimore për ta sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Natyrisht, siç ka vënë në pah, Asli Aydintasbas, në shkrimin “It’s Time for America and Trurkey to Reconile-Washington and Ankara Cannot Afford to Remain Estranged” këto dy shtete për shkak të dinamikave gjeopolitike që po imponohen, nuk mund t’ia lejojnë vetës luksin të kenë marrëdhënie të acaruara. Për më shumë sipas kësaj autoreje, një gjë e tillë është imperativ strategjik. Në fund të fundit, Turqia kufizohet me ato shtete dhe gjendet në qendër të një regjioni ku Rusia, Kina dhe Irani mëtojnë ta kufizojnë ndikimin e Amerikës. Po ashtu, ajo ndodhet në afërsi të dy luftërave, sikur se ajo në Gaza dhe Ukrainë, që janë bërë një shqetësim serioz për Uashingtonin. Në nën tjetër, një lidhje me e theksuar e relacioneve ndërmjet dy vendeve do t’i ndihmonte edhe Turqisë ta përmirësonte pozicionin e saj ndërkombëtar në një botë që po bëhet gjithnjë e më multi-polare.
Sidoqoftë, se sa do të ndodh ky afrim mbetet të shihet. Mirëpo, nga ky rifkonfigurim i mundshëm do të përcaktohej edhe fati miqësor i Kosovës me presidentin Erdogan, e jo nga “keqpërdorimet diplomatike” për nevojat momentale të kryeministrit Rama. /TV Arbëria