Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti nuk e lëshoi rastin pa e sulmuar edhe dekretin e Presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit të këtij të fundit, për t’i dhënë vendit President/e të re 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual.
Sipas te parit të Qeverisë së Kosovës, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetues, tregoi se i njëjtë ishte jo kushtetues, dhe se manifestonte një tendencë të hapur “autokratike” për ta anuluar “vullnetin e popullit me dekrete” . Këtë qasje pak a shumë kanë filluar ta mbrojnë edhe eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës. Para pak dite, deputeti i këtij subjekti politik, Enver Hoxhaj, ka thënë se me “dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani ka bërë shkeljen më të madhe në historinë e demokracisë në Kosovë”.
Siç dihet para pak dite, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur pa ndonjë efekt juridik dekretin në fjalë. Megjithatë institucioni më i lartë kushtetues ka ofruar një perspektivë krejt tjetër nga ajo që po e mbron kryeministri Kurti. Është e vërtetë se i njëjti u ka dhënë edhe 34 ditë kohë deputeteve, nga data e publikimit të tij, duke marrë parasysh kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, sepse Kuvendi aktual nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”. Po ashtu, i njëjti aktgjykim vetëm sa e konfirmuar karakterin imperativ të afatit 30 ditor, dhe se “afati 60 ditor duhet të përfundojë, para skadimit afatit të parë” normë kjo mbi të cilën e kishte bazuar presidentja Osmani dekretin e saj. Në rast të këtij dështimi, Kuvendi shpërndahet ”ex constitutione”.
Prandaj, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është e vërtetë se e ka anuluar dekretin e fundit të Presidentes Osmani, por i i njëjti megjithatë ka treguar edhe diçka tjetër, që askush nuk mund ta mbajë peng vullnetin e popullit jashtë çdo norme dhe afati kushtetues. Dhe në këtë mënyrë ata që i kanë fituar zgjedhjet nuk kanë asnjë të drejtë t’i mbajnë të bllokuara institucionet nën emrin e “vullnetit të popullit”. Sepse ky i fundit në një demokraci mund të jetësohet vetëm mbi bazën e një proceduralizimi normativ dhe me afate të qarta, e jo sipas skemave anakronike ku një formacion dhe lider është mishërim autentik i tij.