Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Keqkuptimi i reformës opozitare

Keqkuptimi i reformës opozitare

Shkruan: Afrim Kasolli

Ka ekzistuar një vlerësim i përgjithshëm se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje, pashmangshëm do ta ndikojë edhe në reformimin e partive  opozitare. Se nëse ato dëshirojnë të kenë jetë në skenën politike do të jenë të detyruara t’i nënshtrohen apetitit qytetar për ndryshime politike.

Madje edhe se suksesi i jashtëzakonshëm i sa parës para katër viteve nuk ishte asgjë tjetër vetëm pasojë stërkeqjes së të dytave. U krijua imazhi se ato u shndërruan më shumë në struktura biznesore se sa parti politike, e ku qëllimi i tyre i vetëm në fund u bë si t’i mbronin interesat e ngushta klienteliste e familjare dhe mbijetonin me çdo kusht në pushtet. Kështu shoqëria mbeti pa përfaqësim shtetëror dhe kjo ndarje e shoqërisë dhe shtetit ia shtroi terrenin Lëvizjes Vetëvendosje ta pushtonte këtë fundit më një lehtësi të padurueshme. Këtë supozim kohë më parë e mbronte edhe pushteti, si dhe shumë opinionist. Ishte vetë kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, që ndryshimet e lidershpit në LDK dhe PDK i pat vlerësuar si pozitive dhe se ato u imponuan pikërisht nga partia e tij.

Megjithatë nuk ka keqperceptim më të madh se sa pretendimi se Lëvizja Vetëvendosje i ka kontribuar katarsist opozitar sa i përket ripolitizmit të tyre. Pra nëse, tkurrja e tyre elektorale ka ndodhur për shkak tjetërsimit të strukturave drejtuese në grupe klentieliste private , kjo tendence në fakt është përkeqësuar.

Gjatë gjithë këtij mandati si pushteti ashtu edhe opozita qene kapërthyer brenda së njëjtës skemë ideologjike, me qëllim që t’i ruajnë pozicionet e tyre dominuese politike dhe ekonomike. Konflikti i tyre formal është shprehje e të “pavetëdijshmes së tyre kolektive” për ta maskuar interesin e tyre real të përbashkët. Lëvizja Vetëvendosje u akomdua në institucione publike, kurse një pjesë e opozitës me shumë ishte e fokusuar në menaxhimin e bizneseve të tyre private. Kjo bëri që të të dy palët të ishin të kënaqura me gjendjen.

Kjo edhe ishte arsyeja që u bllokuan impulset për ndryshim. Le të marrim shembullin e Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo u mbajt peng nga ajo strukturë që njihet si “Klani Bon Vivant” apo “Grupi i gjimnazisteve”, pikërisht duke e penguar reformën e vërtetë. Një strukturë që aktivitet kryesor e kishte menaxhimin e parave digjitale, kafiterive dhe bizneseve tjera, ndikoi që roli i kësaj partie të divorcohet nga pesha e saj historike dhe politike. Prandaj edhe sot kjo klientelë është duke dominuar sa i përket spektaklit, spoteve elektorale dhe prezencës mediale, ndërkohë që shumë protagonistë me sfond historik janë të privuar nga ky aktivitet primar publik dhe partiak . Pra në vend të reformës gjatë këtij mandati vetëm sa ka ndodhur fuqizimi partiak i këtij sekti financiar, duke e ruajtuar kështu fatkeqësisht imazhin e këtij subjekti politik si një strukturë “kripto-kapitaliste”.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo u detyrua t’i nënshtrohet presionit populist kundër Marrëveshjes së Uashingtonit. Ndërkohë, “ri-aleanca” publike e Lumir Abixhikut me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, përkundër dështimit të këtij fundit në menaxhimin e kryeqytetit, janë dëshmi e qartë e mpljeksjes së biznesit dhe pushtetit, për blerje të imazhit virtual në mediat sociale. E të mos flasim për “riinkarnimin” e gjuhës populiste të kryeministrit Kurti nga kryetari i LDK-së.

Ky prapakthim politik në fakt tregon se si nën “regjimin e ri” u bllokuan reformat e njëmenda në partitë opozitare, duke e shndërruar krejt këtë proces në një mashtrim optik./tvarbëria/