Shkruan: Afrim Kasolli
Pas një odiseade të gjatë më fund pritet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ende gjithçka mbete te paqartë se si do të procedohet me këtë detyrim, por edhe sa i përket formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Deri më tani disa nga figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, e kane pranuar se nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për ta tejkaluar këtë prag procedural. Prandaj, janë në kërkim të një partneri nga partitë shqiptare me qëllim që të zhbllokohet situata paszgjedhore. Të gjithëve na kujtohet se gjatë fushatës elektorale, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje i kishte shpallur këto zgjedhje si referendum popullor. Madje edhe pas përfundimit të tyre Albin Kurti kishte refuzuar ta pranonte publikisht realitetin pas zgjedhor.
Mirëpo, sot si dhe gjatë ditëve në vijim, ai më shumë se asnjë herë tjetër, do të përballet me faktin se së bashku me partinë që e përfaqëson kanë dalur forca e parë politike në vend, por që nuk është fitimtar absolut.
Se dhe përkundër sigurimit të votave të shumicës popullore tashmë mbijetesa e tij në pushtet do të varet nga logjika tregtare politike për bashkëqeverisje. Në këtë kontekst, ai i është vënë gjahut për të siguruar me çdo kusht votat e partive minoritare jo serbe.
Media të caktuara, kanë ngritur dyshime madje se rolin e sekserit për sigurimin e votave të mjatueshm, duke mos përjashtuar as ato edhe nga Lista Serbe, për plotësimin e kriterit kushtetues dhe ligjor për votimin e institucioneve të reja, e ka marr kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK) dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Mbetet të shihet sa janë reale këto pretendime.
Në anën tjetër, gjithnjë e më shumë po flitet hapur për një koalicion ndërmjet deputetëve të partisë Nisma për Kosovën dhe Lëvizjen Vetëvendosje, si pasojë e së cilës kryetari i këtij subjekti politik, Fatmir Limaj, pritet të nominohet si përfaqësues i partisë fituese të zgjedhjeve për kryetar të Kuvendit.
Ky akt do të shënonte kapitullimin më ta madh politik të Albin Kurtit. Është e vërtete se kjo pozitë nuk e ka peshën e ekzekutivit. Mirëpo, ajo është shprehje simbolike e konfiguracionit elektoral popullor. Nuk është e rastësishme pse partisë fituese të zgjedhjeve i takon kjo pozitë. Ngase krijon lidhje të “drejtpërdrejtë” ndërmjet sovranit dhe strukturave përfaqësuese të Kuvendit.
Mirëpo tash, Albin Kurti sipas të gjitha gjasave ka vendosur ta sakrifikojë këtë rend simbolik republikan për hir të mbijetesës personale në pushtet. Ai ka gjasa që atë t’ia dorëzojë dikujt që aktualisht nuk figuron si subjekt politik në Kuvendin e Kosovës.