Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > KEK: Modernizimi i njësisë A3 nuk është anuluar, por pezulluar përkohësisht

KEK: Modernizimi i njësisë A3 nuk është anuluar, por pezulluar përkohësisht

Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A” nuk është anuluar, por pezulluar përkohësisht.

Sipas KEK-ut, kjo ka ardhur si rezultat i një ankese të paraqitur nga një Operator Ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Dëshirojmë të theksojmë qartë se, në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP), çdo ankesë e dorëzuar në OSHP pezullon automatikisht procedurën përkatëse deri në marrjen e një vendimi zyrtar. Ky është një mekanizëm standard ligjor, i aplikueshëm për të gjitha institucionet publike, dhe nuk përbën as rastin e parë, as të fundit të pezullimit të përkohshëm të një aktiviteti për arsye procedurale. Lidhur me këtë, Zyrtari i Prokurimit (ZEP) më datë: 02.07.2025 ka dorëzuar në OSHP kërkesën për heqjen e obligimit për pezullim sipas nenit 112 paragrafi 2. LPP”, thuhet në njoftim.

Sipas KEK-ut, ankesa në fjalë është e pabazuar.

“KEK është e bindur se ankesa në fjalë është e pabazuar dhe ka kërkuar nga OSHP që ta trajtojë rastin me prioritet të lartë, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të këtij projekti për sektorin energjetik dhe sigurinë energjetike të vendit. Kjo bindje është mbështetur edhe nga raporti zyrtar i përpiluar nga Eksperti Shqyrtues i OSHP-së (nr. lëndës 2025/0579), i cili rekomandon Panelin Shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik ankues të refuzohet si e palejuar”, vazhdon komunikata.