Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasus ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi u kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës.
KE-ja tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kërkon që regjimi i vizave në zonën Schengen të hiqet pa vonesa për kosovarët.
Vendosja e pasusit ku kërkohej që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi t’u vendosnin viza kosovarëve për shkak se, siç u pretendua, këto dy shtetet nuk i kishin përshtatur politikat e vizave me Bashkimin Evropian, shkaktoi reagime në Kosovë, përfshirë edhe reagimin e ambasadorit tw Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Ai e cilësoi si “të papranueshëm” kërkesën për regjimin e vizave, por një ditë më pas tha se KE-ja do ta përmirësojë këtë gabim.
“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian, dhe ne absolutisht mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, tha gjatë një konference për media zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.
KE-ja tha se ky gabim do të përmirësohet përmes një versioni të ri të po të njëjtit raport. Ky institucion i BE-së tha se nëse ky lëshim do të ishte i vërtetë, ai do të ishte në kundërshtim me mbështetjen e deklaruar të BE-së për lirinë e lëvizjes mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, po ashtu ka mbështetur një marrëveshje të arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq, zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha se KE-ja “tërësisht mbështet lirinë e lëvizjes në rajon dhe tërësisht mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet”.
“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, tha ajo.
Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. Këshillit Evropian i është dhënë mandati që të negociojë procesin e vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Ky sistem kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, duke thënë se ai është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
KE-ja ka konfirmuar qysh në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./Rel