Sipas draftit të Raportit të Progresit për Shqipërinë, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, që prej fillimit të vitit 2024 janë zhvilluar 11 konferenca ndërqeveritare mes BE-së dhe vendeve kandidate, prej të cilave pesë vetëm me Shqipërinë, një tregues i qartë i ritmit të lartë të integrimit.

Në raport theksohet se Shqipëria ka hapur negociatat në pesë grupe kapitujsh, duke reflektuar “përkushtimin e madh të vendit dhe progresin e shpejtë në zbatimin e reformave”.

“Kjo e reflekton përkushtimin e madh të Shqipërisë. Shqipëria ka vazhduar të shënojë përparim në reforma, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe me përfundimin e procesit të vettigut”, thuhet në draft-raport.

Raporti vlerëson gjithashtu rezultatet e dukshme të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në hetimin e çështjeve të korrupsionit, si dhe bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e kapaciteteve për hetime financiare.

Sipas dokumentit, Shqipëria ka shprehur ambicien për të mbyllur të gjitha negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, ndërsa Komisioni Evropian konfirmon përkushtimin për të mbështetur vendet që përmbushin kriteret, në përputhje me parimin e meritës.

Në raport përmendet gjithashtu se Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën, janë lavdëruar për përputhjen e politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, duke dëshmuar angazhim të plotë për integrimin në familjen evropiane.

Draft-raporti për Kosovën: Përparim i kufizuar për shkak të ngërçit politik

Përparimi i Kosovës në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse dhe nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike.

Në dokument përmendet se Kosova e ka përshtatur në mënyrë vullnetare politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, çka sinjalizon përkushtim të qartë për vlerat e BE-së, veprim shumë i mirëpritur.

Mes tjerash në draft-raport përmendet se Komisioni Evropian i ka marrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese.

“Hapat tjerë do të varen nga shtensionimi i vazhdueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë masat financiare kur të ketë transferim të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të mbajtura”, thuhet në raport.

Në draftin e raportit të BE-së është përmendur edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga vetë blloku.

Të dyja vendeve u kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh, të arritur më 2023 dhe aneksin e zbatimit, të arritur po atë vit.