Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > KE-ja po planifikon heqjen e 50% të masave ndaj Kosovës

KE-ja po planifikon heqjen e 50% të masave ndaj Kosovës

Burime diplomatike bëjnë me dije se Komisioni Evropian është duke përgatitur planet për heqjen e një pjese të masave ndaj Kosovës, gjegjësisht 50 për qind të tyre. Në aspektin financiar, kjo do të thotë lirimin e rreth 200 milionë eurove nga fondet që ishin përkohësisht të suspenduara.

Ky vendim bëhet i mundur pas transferimit të duhur të pushtetit lokal në veri të Kosovës, një hap që pritet të përshëndetet edhe me konkluzionet që do të miratohen nga ministrat e vendeve anëtare të BE-së në Bruksel të martën, gjatë diskutimeve për procesin e zgjerimit.

Sipas draftit të konkluzioneve, Këshilli i BE-së përsërit përshëndetjen për heqjen e masave të mbetura ndaj Kosovës, një formulim më pozitiv se ato të mëparshmet, por që nuk sqaron plotësisht se kur dhe si do të realizohet heqja e masave. Burime diplomatike theksojnë se, edhe pse Këshilli i BE-së kishte dhënë më parë pëlqimin për heqjen, masat duhet të hiqen nga Komisioni Evropian.

Sidoqoftë, disa vende anëtare nuk preferojnë që masat të hiqen para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke sugjeruar një heqje graduale, edhe pse shumica do të preferonte një heqje të menjëhershme.

Në konkluzione, BE-ja pritet të theksojë nevojën për implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, duke kërkuar nga Kosova fillimin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nga Serbia njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës, si dhe ndërprerjen e kundërshtimit ndaj anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.

Po ashtu, BE-ja do të shprehë keqardhje për mosndëshkimin e përgjegjësve për dhunën gjatë vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, mediave dhe qytetarëve.