Së fundi janë shtuar sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese nga ana e Qeverisë.
Pas zv/kryeministrit Besnik Bislimi, akuza për punën e Kushtetueses hodhi edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Sipas saj, Gjykata Kushtetuese po e pengon jetësimin e reformave në shumë fusha.
Lidhur me këtë, Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në KDI, thotë për Gazeta Blic,se Qeveria duhet ta kryejë mandatin sipas dispozitave të Kushtetutës, ku sidomos Kuvendi duhet të miratojë ligje që janë në përputhje meKushtetutën dhe jo në rezultatin e zgjedhjeve.
“Pushteti qeverisës që buron nga vullneti qytetar i dalur nga një proces zgjedhor dhe demokratik, ai mandatin e tij duhet gjithmonë ta kryejë duke iu bindur dispozitave të Kushtetutës. Kjo duhet të manifestohet sidomos gjatë procesit legjislativ dhe Qeveria, përkatësisht Kuvendi, duhet të kujdesen që po miratojnë ligje që janë në përputhje me Kushtetutën e jo duke u thirrur në vullnetin politik të fituar nga zgjedhjet”, thotë ai.
Andaj, Bugaqku thekson se është e natyrshme që të shpallen jokushtetuese vendimet që shkelin Kushtetutën
“Prandaj, sa herë që krijojnë dhe miratojnë ligje duke u thirrur vetëm në emër kinse të vullnetit popullor të bazuar në përqindjen e votave që i kanë fituar në zgjedhje, e jo duke marrë për bazë parimet kushtetuese dhe dispozitat e Kushtetutës, ligjet dhe çdo vendim i marrë mbi atë bazë, është e natyrshme që i shpall jokushtetues çdo gjykatë kushtetuese e një vendi demokratik”, potencon ai.
Ai shton se deklarimet e tilla të qeveritarëve ndaj Kushtetueses janë tendencë për ta fajësuar atë për dështimet e tyre të realizimit të reformave në drejtësi.
“Prandaj, çdo deklarim i tillë i akterëve qeveritarë përben asgjë mē shumë se sa një tendencë për të fajësuar një mekanizëm të pavarur siç është Gjykata Kushtetutese për dështimin në realizimim e reformave në drejtësi”, vlerëson hulumtuesi i KDI-së.
Bugaqku thotë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe as duhet diskutuar, teksa shton se pushtetarët duhet ta dinë se vendimet gjyqësore s’janë pengesë e reformave.
“Duhet theksuar se vendimet e gjykatave, sidomos atyre të Gjykatës Kushtetuese janë vendime përfundimtare dhe as që duhet menduar apo diskutuar qëllimi i përmbajtjes ose i arsyetimit të tyre nga akterët politikë. Parimi i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, i mishëruar në Kushtetutën duhet respektuar me çdo kusht dhe se politikanët apo pushtetarët duhet ta kenë të qartë që këto vendime gjyqësore s’janë aspak pengesë e realizimit të ndonjë reforme por përkundrazi duhet të shërbejnë si bazë e vetme që ligjet dhe çfarëdo akti juridik që hartohet në të ardhmen të korrigjohet dhe të merr gjithmonë parasysh bazueshmërinë në Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e saj”, deklaron Vullnet Bugaqku.
/TV Arbëria