Për çka? – Është pyetja që ka shtruar gazetari Vehbi Kajtazi për kauzat e mëhershme të Lëvizjes Vetëvendosje nën udhëheqjen e Albin Kurtit.
Kur janë bërë 17 vjet nga protestat e dhunshme të LVV-së, ku mbetën të vdekur aktivistët Mon Balaj dhe Arben Xheladin, Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar qasjen e saj.
Sipas Kajtazit, Kurti ka gënjyer popullin, teksa ka arritur kulmin e tij duke u bërë kryeministër i shtetit të cilit ai nuk i besonte se do të bëhej shtet.
“Albin Kurti gënjente popullin se Pakoja e Ahtisarit nuk e sjell Pavarësinë e Kosovës. Sot, Kurti është kryeministër i atij shteti që nuk i besonte se do të bëhej shtet. Pos që Vetëvendosja nuk ekziston më, për çka është krijuar, shefi i kësaj partie e lut Vuçiqin që ta nënshkruaj një marrëveshje e cila serbëve u jep autonomi territoriale e politike”, thuhet fillimisht në postimin e gazetarit Kajtazi.
Ai ka shtuar se për vdekjen e dy aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka dhënë askush akoma përgjegjësi, ndërsa i ka quajtur të rrejshme kauzat e mëhershme të Lëvizjes.
“17 vjet nga vrasja e dy protestuesve askush nuk ka dhënë përgjegjësi. As policët rumunë që shtien mbi protestuesit, as Albin Kurti që i gënjeu ata për një kauze krejtësisht të rrejshme”, thuhet në postimin e tij.