Përfaqësuesit diplomatikë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë kërkuan formim të shpejt të institucioneve të reja në vend, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Të njëjtit nënvizuan nevojën që Kosova të ketë institucione për të adresuar përgjegjësitë e reformave në procesin euro-integrues si dhe zbatimin e zotimeve në dialogun me Serbinë, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav tha se iu duhet një partner në pushtetin ekzekutiv që të flasim për hapat e radhës sesi të afrohet Kosova më pranë Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se për të ecur përpara iu duhet një bashkëpunim i mirë dhe ngushtë me autoritetet e Kosovës, derisa ritheksoi se masat ndaj Kosovës kanë filluar gradualisht të hiqen.
Duke porositur nevojën e themelimit të Asociacionit, Orav pati një porosi për Kosovën që “të mos shikojë gjithmonë se çfarë bën Serbia, mirëpo të bëjë detyrat e veta”.
“Na duhet edhe një partner në pushtetin ekzekutiv. Na duhet një partner me të cilin mund të flasim për hapat e radhës sesi të afrohemi më pranë BE-së. Shpresojmë që qeveria do të formohet sa më shpejtë. Mbyllja e institucioneve në veri, përsëri BE-ja e ka bërë qëndrimin e vet të qartë, privatisht, zyrtarisht dhe publikisht. Masat ndaj Kosovës. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas ditë më parë shpalli se do të kemi heqjen graduale të masave ndaj Kosovës dhe kjo heqje ka filluar. Mirëpo për të ecur përpara na duhet një bashkëpunim i mirë dhe ngushtë me autoritetet në Kosovë. Një temë që të gjithë flasim por nuk është aq e preferuar nga politikanët në Kosovë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Qëndrimi i BE-së është i qartë se ai duhet të themelohet dhe është më mirë të bëhet sa më shpejt që të ecim përpara”,tha ai gjatë diskutimit në konferencën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, të organizuar të mërkurën nga Instituti PIPS dhe FOL.
Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili tha se qytetarët në Kosovë janë të “frustruar dhe irrituar politikisht me ngërçin politik të krijuar”.
Ai përmendi se nesër do jetë vazhdimi i seancës për herë të 23-të për konstituimin e Kuvendit, derisa pyeti se çfarë imazhi është ky në sytë e tyre.
“Njerëzit janë të frustruar dhe irrituar politikisht. Nesër do të kemi seancën e 23-të. Çfarë imazhi është ky në sytë tanë? Nuk dua të hyjë. Daniela ka përmendur dje, por të gjithë ne bëjmë thirrje në mënyrën tonë. Mirëpo në fund të fundit detyrat e shtëpisë duhet t’i bëjnë politikanët. Kemi pasur përfaqësues të lartë të BE-së, Costa dhe Kallas dhe mesazhet ishin të qarta bëni detyrat e shtëpisë”, shtoi ai.
Ndërkaq, ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, duke paraqitur nevojën e themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit adresoi dy mesazhe.
Ai tha se Kosova nuk është e izoluar, përveç siç shtoi ai “nëse izolon vetveten duke mos i dëgjuar miqtë dhe gjetur arsye dhe shkase për mosrespektim të zotimeve të ndërmarra në procesin e dialogut”.
Guerot ritheksoi se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga Bashkimi Evropian nuk është një Republika Sërpska.
“I kam dy mesazhe të thjeshta. Mesazhi i parë është që Kosova nuk është e izoluar përveç nëse e izoloni vetveten. QUINT ka mbështetur Kosovën vite me radhë dhe kohëve të fundit kam lexuar këshillën tonë ligjore në GJND duke shpjeguar pse Franca e ka mbështetur Kosovën historikisht. Nuk jeni të izoluar. Kosova nuk është një ishull por është në mes të rajonit… Ju nuk jeni të izoluar përveç nëse izoloni vetveten. Tash si e izolon njeriu vetveten? Thjesht duke mos i dëgjuar miqtë, duke kultivuar një formë drejtësie dhe duke gjetur arsye dhe shkase të ndryshme duke mos respektuar zotimet e ndërmarra. Po e përsërisë thirrjen e Jorn, dëgjoni miqtë tuaj”, theksoi ai.
Thirrje për formim të institucioneve të reja në Kosovë bëri edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karim Boven.
“Tani është me rëndësi të demonstrohet përkushtimi dhe të sigurohem që të formohet qeveria e re, në mënyrë që vendosmëria për integrim në BE të marr formë përmes rezultateve konkrete”, përfundoi ajo.
Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë tjetër kandidat, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm.kp