Një operacion i zhvilluar nga Shërbimi i Antidrogës në Greqi ka çuar në arrestimin e katër personave të përfshirë në një rrjet të trafikut të lëndëve narkotike, që tentonin të fusnin drogë në vend përmes linjave ajrore.
Sipas mediave greke, të transmetuara nga TCH, aktiviteti kriminal i të dyshuarve u zbulua pas verifikimeve të detajuara, analizës së të dhënave dhe ndërtimit të një “profili” të dyshuarve.
Më konkretisht, një 27-vjeçar grek që kishte udhëtuar nga Tajlanda u kap në zonën e mbërritjeve të aeroportit me 60 pako që përmbanin marijuanë hidroponike të papërpunuar (skunk), me peshë totale bruto prej 32 kilogramësh, të fshehura në dy valixhe. Lënda narkotike ishte e destinuar për trafikim të mëtejshëm, ndërsa 35-vjeçari, bashkëpunëtor i tij, pritej ta merrte për t’ua dorëzuar marrësve përfundimtarë përmes një taksie.
Për të siguruar lëvizjen e qetë të ngarkesës, një 21-vjeçar dhe një 19-vjeçar kishin marrë përsipër monitorimin e zonës përreth aeroportit dhe shoqërimin e taksisë me një automjet tjetër.
Në të njëjtën kohë, 35-vjeçari u kap në zonën e mbërritjeve me tre pako kokainë me peshë 2.15 gramë, ndërsa nga kontrolli në banesën e tij u gjetën: 50.3 gramë kanabis, 30 gramë kokainë, një kartë identiteti policie e falsifikuar.
Policia sekuestroi gjithashtu: një taksi, një makinë private, pesë telefona celularë, dy valixhe dhe 245 euro para të gatshme.
Autoritetet kanë bërë të ditur se tre nga katër të arrestuarit kanë qenë më parë të ndaluar për vepra të ngjashme dhe të tjera penale, ndërsa njëri është aktualisht nën masa shtrënguese.
Të arrestuarit janë dërguar në prokurorinë përkatëse, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë dhe rrjetin e plotë të trafikut.