Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Katër herë u anulua – Tenderi për stacionin policor në Zubin Potok, përfundoi në OSHP

Katër herë u anulua – Tenderi për stacionin policor në Zubin Potok, përfundoi në OSHP

Që nga fundi i vitit 2023, Policia e rajonit të Zubin Potokut, funksionon në kontejner. Para kësaj periudhe, si stacion policor ishte përdorur një shtëpi private e cila nuk i ofronte as kushtet minimale.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, thotë se kushtet në të cilat operojnë policët në Zubin Potok janë të vështira.

“Në fakt Policia atje ka qenë duke punuar në një shtëpi private dhe më kujtohet një herë në vitin 2022 kur kam qenë për t’i vizituar në atë shtëpi, kushtet kanë qenë shumë të rënda. Pastaj kontrata me pronarin e shtëpisë përfundoj dhe me vendim të komunës së më hershme është ndarë ajo toka aty. Ne u vendosem në atë pjesë ku edhe planifikohet ndërtimi. Veç me tregu që jemi në kontejner, kjo tregon mjaftë sepse nuk je në ndërtesë, pra nuk ke zyre nuk ke qendër të ndalimit, viktimën ose dëshmitarin nuk ke ku e merr në pyetje e shumë gjera të tjera”- tha Veton Elshani për KALLXO.

Por, policët e këtij rajoni verior, punën dhe angazhimin e tyre zyrtar, do ta vazhdojnë në kontejner edhe për një kohë. Tenderi me vlerë të parashikuar prej 1.164.000.00 i hapur me 01.11.2024, për ndërtimin e stacionit policor dhe objektit në këtë qytet u pezullua, pas ankesës së “AZ Building Development L.L.C.” dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit më 10.01.2025.

Fillimisht, për dallim nga katër tenderët paraprakë ku u përdorë procedura e mbyllur, pa publikim të njoftimit për kontratë, tenderi me procedurë të hapur, për herë të pestë u iniciua më 31.10.2024. Në këtë aktivitet të prokurimit aplikuan katër operatorë ekonomikë.

Më 31.12.2024, Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Policia e Kosovës, në tenderin dy pjesësh, ku parashihet ndërtimin i stacionit policor në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë, ndërtimi i objektit të Agjencisë së Regjistrit Civil kishte shpallur fitues dy kompani. Për pjesën e parë fitues ishte operatori ekonomik “NBT – ING” dhe për pjesën e dytë u shpallën fitues grupi i operatorëve ekonomik “Pro & Co Group SH.P.K., 2A Group SH.P.K.”.

Kompania “AZ Building Development L.L.C.” ishte e pakënaqur me vendimin e Policisë, meqë pretendon se Autoriteti Kontraktues ka shkelur 9 nene të Ligjit të Prokurimit Publik. Fillimisht, kishte kërkuar rishqyrtim të vendimit më 06.01.2025.

Më 09.01.2025, kërkesa për rishqyrtim të vendimit u refuzua nga Autoriteti Kontraktues, kësisoj vendimi i datës 31.12.2024 mbeti në fuqi.

Të pakënaqur me refuzimin për rishqyrtim të vendimit, “AZ Building Development L.L.C.” iu OSHP-së. Të kontaktuar nga KALLXO.com, përfaqësues të kompanisë nuk pranuan të flasin, pasi që lënda është në shqyrtim, duke shtuar se pretendimet e tyre figurojnë në ankesën drejtuar OSHP-së.

Kompania në fjalë pretendon se u eliminuan padrejtësisht sepse oferta e tyre ishte më çmimin më të lirë të përgjegjshëm.

Sipas ankesës së deponuar, “AZ Building Development L.L.C.” për pjesën e parë ka ofertuar me çmim prej 684,245.63 euro, ndërsa operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë ka ofertuar me çmim prej 684,660.99 euro.

Ndërkaq, për pjesën e dytë “AZ Building Development L.L.C.” sipas ankesës, kishte ofertuar me çmim prej 305,457.30 euro, kurse operatori ekonomik i rekomanduar ofertoi me çmim prej 397,422.00 euro.

Lënda është duke u shqyrtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, teksa akoma nuk ka përgjigje të ekspertit shqyrtues.

Teksa tenderi i hapur së fundmi është në “dorë” të Organit Shqyrtues të Prokurimit, dhe deri në marrjen e vendimit, duhen të paktën 30 ditë nga parashtrimi i ankesës, tenderi për ndërtimin e stacionit të Policisë në Zubin Potok u anulua katër herë.

Në vendimin e datës 29.02.2024 ishte thënë se tre operatorët ekonomik “Pro&Co Group SH.P.K”, “U-UNIQUE SH.P.K”, “NNP EUROING SH.P.K” dhe grupi i OE-ve “BENI – COM SH.P.K. & Olti Trasing SH.P.K” në ofertat e tyre kishin kaluar vlerën e caktuar prej 997 mijë e 47 euro.

Edhe në tenderin e dytë kishin aplikuar tre operatorë ekonomik. Më 21.03.2024 Policia mori vendim për anulim, duke thënë se që të tre OE-të; “HIDRO PROJECT SH.P.K.”, grupi i OE-ve “Adnan Bislimi B.I. & N.N.SH. WORLD MEDIUM” dhe grupi i OE-ve “BENI – COM SH.P.K. & Olti Trasing SH.P.K” në ofertat e tyre prapë kishin kaluar vlerën e caktuar që përsëri ishte 997 mijë e 47 euro.

Andaj, Policia u detyra që vlerën në tenderin e tretë ta rrisë për afër 70 mijë euro., duke tejkaluar 1 milionëshin. Vlera e përcaktuar nga autoriteti kontraktues, pra Policia, ishte gjithsej 1 milion e 66 mijë e 765 euro.

Megjithatë, kjo rritje në çmim prapë nuk qe e mjaftueshme që një nga dy operatorët ekonomik të dalin fitues për të filluar ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok.

Dy operatorët “Pro & Co Group SH.P.K.” dhe grupi i OE-ve “NIKA PrO – Ing SH.P.K. & LENTI LBC” në ofertat e tyre përsëri tejkaluan vlerën e parashikuar. Vendimi për anulimin e tenderit të tretë u mor nga Policia më datë 07.06.2024.

Ndërkaq, për herën e katërt, tenderi u anulua me 11.10.2024

Para fundit të 2023-ës, zyrtarët policorë funksiononin në një shtepi të vjetër që shfrytëzohej si stacion policor, por që objekti ishte vlerësuar se nuk i plotësonte kushtet e punës.

Kah fundi i nëntorit, autoritetet kosovare nisen punimet për ndërtimin e nënstacioneve në Leshak të Leposaviqit, në Izvor të Zveçanit, dhe tek ura e Bistricës në Leposaviq.

Policia e Kosovës vazhdimisht ka thënë se stacionet apo nënstacionet policore, janë planifikua të plotësojnë nevojat e zyrtarëve policorë, dhe se shërbejnë për të ofruar siguri publike dhe ruajtje të rendit kushtetues.

Ndërtimi i stacioneve dhe nënstacioneve kundërshtohet nga Serbia dhe nga serbët lokalë.