Në Kosovë ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë, proces ky që kishte nisur në fillim të muajit prill, ndërsa parashihet të jenë rreth 1.6 milion banorë.
Kështu ka deklaruar Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, në konferencën përmbyllëse për media.
“Të dhënat publikohen në pjesën e parë të muajit korrik, por në bazë të ditëve të fundit të mbarimit të procesit, edhe shtesa që ka qenë, pritjet janë që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë”, tha ai të hënën.
Drejtori i ASK-së po ashtu bëri të ditur se janë regjistruar edhe 600 mijë qytetarë që jetojnë në diasporë, derisa shtoi se pret që numri të rritet pasi afati për regjistrimin e diasporës është shtyrë deri në gusht.
Kastrati gjithashtu bëri të ditur se një pjesë e të dhënave do të publikohen gjatë muajit korrik, ndërsa të dhënat finale do të i tregojnë pas 6 muajsh.
Ndër të tjera Kastrati ka thënë se janë kursyer mbi gjysme milioni për ndërtimin e sistemit që është bërë nga ASK. Ai po ashtu njoftoi se në procesin e regjistrimit të popullsisë kanë marrë pjesë të gjitha komunitetet, por vetëm një pjesë e serbëve në veri kanë refuzuar regjistrimin.
“Janë kursyer mbi gjysmë milioni euro për ndërtimin e sistemit që është bërë nga ASK. Kostoja e përafërt e kursimit në hartografin ka qenë po ashtu gjysmë milion euro. Komuniteti serb kanë marr pjesa pjesërisht, një pjesë e tyre kanë hezituar”, tha ai.
Kastrati, është shprehur i kënaqur me procesin e regjistrimit, teksa tha se janë plotësuar të gjitha parimet ndërkombëtare për procese të tilla.
“Në përgjithësi të gjitha komunitetet në Kosovë kanë qenë të hapura dhe kanë qenë në favor të regjistrimit të popullsisë. Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka qenë masive, përveç komunitetit serb në katër komunat në veri, që kanë marrë pjesë pjesërisht”, u shpreh ai.
Kastrati njoftoi se në tërë procesin e regjistrimit të popullsisë janë përfshirë rreth 5.100 persona.