Afrim Kasolli, analist, në ARB Debat me Rid Berishën ka komentuar procesin zgjedhor në Kosovë.
Ai ka thënë se zvarritja e procesit nga KQZ-ja mund të merret edhe si defekt i këtij institucioni, sa i përket organizimit të procesit zgjedhor.
“Kontestime ndaj procesit zgjedhor kemi edhe nga partitë opozitare, këtë mund ta shohim edhe më tepër si defekt nga ana e KQZ-së për ta organizuar si duhet procesin e zgjedhjeve,” ka thënë Kasolli.
“Ne po e shohim të revoltuar janë edhe kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, të cilët po kërkojnë përsëritje të zgjedhjeve në diasporë,” shton ai.
Kasolli thotë se kjo vonesë mund të jetë edhe për t’i dhënë kohë partisë fituese për t’i bërë kalkulimet e saj për formimin e qeverisë, por shton se nuk mund të përjashtohet as mundësia që KQZ-ja ka dështuar në këtë proces.
“Mund të jetë kjo vonesë pasojë e kalkulimeve të partisë fituese të zgjedhjeve për t’i dhënë kohë vetes për ndonjë koalicion të mundshëm qeveritar, por nuk mund të përjashtohet as mundësia që edhe për shkak të dështimit të KQZ-së për të garantuar një proces të mirëfilltë zgjedhor, sepse ankesat po vijnë edhe nga partitë opozitare,” ka thënë ai. /TV Arbëria