Analisti Afrim Kasolli, në “ARB Debat” në TV Arbëria, me Rid Berishën, ka folur për vizitën e shefit të NATO-s në Kosovë, Mark Rutte.
Kasolli ka thënë se tensionet publike që janë parë ndërmjet SHBA-së dhe BE-së mund të kenë joshur liderët e rajonit.
“Transmetohet mesazhi që këto tensione publike që i kemi parë ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit, si dhe BE-së, kohëve të fundit për çështjen e Ukrainës dhe fillimin e negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë, duke e përjashtuar fillimisht BE-në për një çështje të sigurisë evropiane, kanë mundur t’i joshin edhe liderët e rajonit që kanë ambicie të tilla, duke menduar se është koha dhe momenti i tyre për të realizuar skenarët politikë që i ëndërrojnë, por që kanë kalkuluar se në të kaluarën nuk mund ta bënin një gjë të tillë për shkak të prezencës amerikane,” ka thënë ai.
Kasolli thotë se këtë ide të liderëve evropianë, e kundërshton shefi i NATO-s, duke e transmetuar mesazhin se NATO mbetet e përkushtuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Në kalkulimet e këtyre liderëve politikë ka lindur ideja që një tërheqje eventuale amerikane nga çështjet evropiane mund të shërbejë si trampolinë për të realizuar skenarët që ka kohë që i kanë në mendje, por që nuk kanë guxuar të marrin veprime të tilla. Rutte vjen pikërisht për t’u kundërvënë këtyre tendencave të tilla dhe për të transmetuar mesazhin që ajo që po shihni në media, këto përplasje që po ndodhin, nuk janë reale dhe se nuk do të përfitoni nga një situatë e tillë, sepse NATO kolektivisht është e përkushtuar për t’i mbrojtur arritjet e saj sa i përket sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor,” ka thënë ai.