Analisti politik Afrim Kasolli ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë pezull politike dhe institucionale, me rrezik të lartë për kolaps financiar, pasi sipas tij, vendi aktualisht nuk ka një qeveri legjitime që mund të propozojë buxhetin.
Në emisionin “Arb Debat” në Arberia TV, Kasolli u shpreh se:
“Jemi në një situatë se nëse ka një lloj konsensusi që po vërehet tash fatkeqësisht, ka që të gjitha subjektet parlamentare, të paktën atë që po e deklarojnë publikisht, janë dorëzuar dhe janë të gatshme për zgjedhjet e reja parlamentare”.
Sipas tij, roli i presidentes, pas kthimit në vend, do të jetë vetëm formal.
“Edhe kur të kthehet presidentja, mbase ajo vetëm do të plotësojë aspektin procedural edhe juridik, sepse kjo ndahet pra pjesa politike nga pjesa juridike, edhe nëse mungon vullneti politik për t’i dhënë vendit një qeveri të re. Tashmë Kurti 3 jo, por nuk do të thotë që edhe Vetëvendosja mos të marrë të drejtën, mos të mandatohet apo subjektet tjera politike”.
Kasolli shtoi se, në bazë të deklarimeve publike, partitë politike janë aktualisht të përqendruara më shumë në garën për zgjedhjet lokale sesa në krijimin e një qeverie të re.
“Në bazë të deklarimeve publike, atyre iu referohna, pra është evidente dhe është e qartë që subjektet politike kryesisht aktualisht janë të fokusuara sa i përket zgjedhjeve lokale, aty ku ndodhen në balotazh, përjashto Listën Serbe që është më komode në këtë drejtim, sepse përveç Kllokotit ajo ka siguruar pushtetin në të gjitha komunat tjera”.
“Ndërkohë partitë shqiptare tashmë janë në garë, kush çka po përfiton, kështu që në këtë drejtim jemi në një situatë pezull, me nevoja indinjate për vendin dhe me rrezikun shumë të madh të kolapsimit buxhetor shtetëror, dhe askush s’po e merr përgjegjësinë për pasojat që do të krijohen”.
Sipas Kasollit, përplasja politike për përgjegjësinë po thellohet, ndërsa rreziku për pasojat ekonomike mbetet real.
“Në këtë drejtim vazhdon beteja politike, vazhdon lufta politike se cila mund të etiketojë tjetrën si fajtori më i madh nëse vijmë deri në këtë situatë, dhe sipas bindjes sime dhe sipas këndvështrimit tim normal që kjo te analiza, vendi sipas të gjitha gjasave do të kolapsojë financiarisht sepse nuk ka shans”.
Ai theksoi se një qeveri mund të autorizohet për përdorim të përkohshëm të buxhetit, por vetëm nëse është legjitime.
“Mund të nisem nga përvoja ime personale, një qeveri mund të propozojë përdorimin e buxhetit një muaj deri në 2 muaj, por kjo qeveri duhet të jetë legjitime. Ndërkohë, ne sot nuk kemi një qeveri legjitime, nuk ka kush e propozon sepse bëhet fjalë për ndryshimin e ligjit”.
Në fund, ai kujtoi se sipas vendimit të Gjykatës Supreme, qeveria në detyrë është e privuar nga e drejta për të ndërhyrë në ligjin e buxhetit.
“Do të thotë, qeveria në detyrë e cila edhe ashtu Gjykata Supreme ka konstatu që e njëjta nuk ka kompetenca të ushtrojë funksione të tilla, kjo është e privuar nga e drejta që të propozojë ndryshime të ligjit të buxhetit të këtij viti që t’ia mundësonte më së largu deri në shkurt të paktën për përdorimin për të ekzekutuar pagat”.