Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kasolli: Opozita mes zgjedhjeve dhe legjitimimit të pushtetit aktual

Kasolli: Opozita mes zgjedhjeve dhe legjitimimit të pushtetit aktual

Analisti politik Afrim Kasolli ka deklaruar se në politikë ekzistojnë dy lloje humbjesh, por sipas tij, është më e pranueshme një humbje në “terenin e betejës politike” sesa një humbje në sallën e Kuvendit. Ai vlerëson se qëndrimi i opozitës në Kuvend për çështjen e zgjedhjes së presidentit do të transmetonte një mesazh të gabuar politik, duke legjitimuar kauzën e pushtetit aktual.

Sipas Kasollit, një veprim i tillë do të forconte narrativën se stabiliteti politik në vend mund të krijohet vetëm atëherë kur i gjithë pushteti është i përqendruar në duart e Kryeministrit Albin Kurti. Ai thekson se nëse subjektet politike opozitare kalkulojnë se është më profitabile të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, qoftë edhe me kusht, për temën e presidentit, atëherë ato rrezikojnë të bien në një kurth politik.

Kasolli nuk përjashton as një skenar hipotetik, ku Kryeministri Kurti mund t’i drejtohet opozitës me ofertën që ajo të propozojë emrin e presidentit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje do ta votonte atë. Megjithatë, ai paralajmëron se në rast se Kurti e jep vetë emrin për president dhe partitë opozitare qëndrojnë në sallë vetëm për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, atëherë ato do t’i shkaktonin vetes një disfatë edhe më të madhe politike.

Sipas Kasollit, shmangia e zgjedhjeve përmes kompromiseve të tilla vetëm sa do ta dobësonte më tej pozitën e opozitës dhe do ta konsolidonte edhe më shumë pushtetin aktual.