Analisti politik Afrim Kasolli, ka bërë një analizë lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, ku ai këtë ngjarje e lidh edhe me incidentin e presidentes Vjosa Osmnai, disa dite më parë në këtë vend, shkruan TV Arbëria.
Kasolli komenton heshtjen e Kurtit rreth incidentit të presidentes Osmani, ku një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes së Kosovës.
“I pari i Qeverisë së Kosovës deri më tani ka qenë i heshtur, për këtë ngjarje që nga shumë kush u quajt si mega-skandal diplomatik. Kurse Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime dhe hetim të rastit të 1 gushtit”, ka shkruar Kasolli.
Tutje Kasolli këtë viztë e lidh edhe me faktorët ndërkombëtar.
“Ndërkohë, ajo që është më kryesorja kjo vizitë po ndodh edhe në një kontekst të çuditshëm ndërkombëtar si për Kosovën ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Prandaj me të drejtë mund të shtrohet pyetja se kujt i shërben si e tillë? Natyrisht, është në interesin e Prishtinës që të ketë raporte të mira ndër-fqinjësore me Shkupin. Mirëpo, këtu duhet të kemi parasysh faktin se si politika zyrtare e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe ajo e Kosovës, janë kurthyer aktualisht sa i përket agjendës së integrimeve evropiane, ndonëse për arsye të ndryshme”, ka shkruar Kasolli.
“E para për shkak se partia VMRO-DPMNE- është zotuar se nuk do ta plotësojë kushtin e Bullgarisë për ndryshime kushtetuese me qëllim përfshirjen e etnisë bullgare brenda saj. E një Maqedoni e bllokuar në këtë agjende vetëm interes i shqiptarëve nuk është. Madje ajo mund te mbijetojë si shtet për aq kohë sa qëndron në binarë të proceve euro-atlantike”, ka shkruar tutje analisti.
Kasolli thotë se shteti i Kosovës është i bllokuar sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, përshkak të mosplotësimit të disa obligimeve, sa u përket faktorëve ndërkombëtar analisti tutje përmend edhe çështjen e Urës së Ibrit.
“Ndërkaq, Kosova është bllokuar në këtë agjendë për shkak procesit të dialogut me Serbinë dhe mosplotësimit të obligimeve që është zotuar se do t’i jetësojë, veçanërisht detyrimeve që dalin nga Marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i zbatimit të Ohrit. Madje për këtë arsyeje, por jo vetëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është izoluar tej mase ndërkombëtarisht. Shto edhe këtu faktin mbi paralajmërimin e tensioneve të mundshme me shtetet e QUINT-it dhe KFOR-in ,për shkak të kundërshtimit të këtyre te fundit për ndryshimin e statusit të urës mbi lumin Ibër”, ka shkruar Kasolli.
Krejt në fund Kasolli thotë se kjo vizitë mund të përçojë një mesazh, dhe se sipas tij kjo nuk i ndihmon as Kosovës dhe as Maqedonisë së Veriut.
“Kështu, kjo vizitë shtetërore në Shkup mund t’i krijojë përshtypje se ka çarë përkohësisht këtë margjinalizim dhe të paktën ka fituar relevance rajonale gjeopolitike. Por si e tillë ajo nuk i ndihmon as Kosovës dhe as Maqedonisë së Veriut në staze afatgjate nëse mbesin të bllokuara në agjendën e tyre integruese evropiane, pavërisht vizionit të pushtetit të ri në Shkup, që u artikulua para pak kohe nga presidentja e këtij shteti, Gordana Silanovska-Davkova, “së pari rajoni mëpastaj Evropa”. Sepse operimi brenda suazave të kësaj fryme, ku rajoni mund të kompensohet me Evropën, i jep karakter “anti-evropian” kësaj vizite”, ka thënë Afrim Kasolli. /TV Arbëria
Lexo shkrimin e plotë nga Afrim Kasolli:
Kujt i shërben vizita “anti-evropiane” e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut?