Analisti politik, Afrim Kasolli, i ftuar në emisionin “ARB Debat” në TV Arberia, ka komentuar çështjen e masave sanksionuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se besueshmëria e BE-së do të vihet seriozisht në pikëpyetje nëse premtimet për heqjen e tyre nuk realizohen.
Kasolli kujtoi se zyrtarë të lartë evropianë janë shprehur më herët në favor të suspendimit të sanksioneve, por vendimmarrja brenda BE-së është e ngadaltë dhe kërkon pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.
“Çështja apo drama e masave sanksionuese, ne e dimë tashmë që kohë më parë që shefi për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, Borrell kishte rekomanduar suspendimin e tyre edhe ish i dërguari i posaçëm i Brukselit, Miroslav Lajçak, kishte shprehur në favor të suspendimit të tyre. Por kështu është natyra vendimmarrëse e BE-së: kur vendosen disa masa, vendosen shumë më lehtë, e nuk largohen aq lehtë, për shkak se tash duhet konsensusi i të gjitha shteteve anëtare në mënyrë që të realizohet ky skenar”, u shpreh ai.
Sipas Kasollit, kjo situatë është një provim për të dyja palët: Kosovën dhe vetë Bashkimin Evropian.
“Kjo tash është një sprovë si për Kosovën, edhe për BE-në, pasi nuk është hera e parë që Brukseli është shprehur në favor të suspendimit të tyre dhe është deklaruar se: plotësoni edhe këtë premtim, edhe këtë kriter, detyrim, dhe më pas do të shqyrtohet heqja e tyre. Dhe kjo është e fundit, që nëse ndodh transferimi demokratik i pushtetit nga ata shqiptarë tek ata legjitim në komunat veriore, pa marrë parasysh mënyrën se si janë fituar… ato zgjedhje janë pranuar, nuk kanë pasur kontestime të mëdha politike, demokratike e ligjore; janë fituar nga Lista Serbe, por kjo është gjendja”, tha ai.
Kasolli theksoi se BE-ja është zotuar se heqja e masave do të merret në konsideratë sapo të përmbyllet ky proces. Madje ai kujtoi edhe kërkesat e bërë së fundi nga subjektet politike kosovare.
“Ne pamë që edhe kandidatët e subjekteve politike iu adresuan me letër BE-së, si Bedri Hamza që kërkoi largimin e këtyre masave, dhe nëse Brukseli nuk e mban këtë premtim, atëherë unë frikësohem se do ta humbë edhe më shumë kredibilitetin, besimin në procesin e dialogut. Për këtë është sfidë shumë e madhe”, u shpreh ai.
Analisti paralajmëroi se çështja e veriut mund të shfrytëzohet për përfitime të brendshme politike në prag të zgjedhjeve.
“Mirëpo, a kanë frikë, drojë, a kanë dyshime se mund të përdoret tema e veriut për kauza të brendshme elektorale? Shihet qartë se ka, sepse ka ndodhur kjo në të kaluarën, dhe tash nuk është befasi të ndodhë sërish”, deklaroi Kasolli.
Ai komentoi edhe zhvillimet e fundit në komunat veriore, përfshirë raportimet për largimin e simboleve shtetërore të Kosovës nga objektet komunale.
“Ne pamë që kjo është e vërtetë që ata u betuan mbi simbole të Kosovës, mirëpo informacionet e fundit që po vijnë, ata kanë filluar t’i largojnë të gjitha simbolet shtetërore të Kosovës nga objektet dhe pritet të shohim se si do të reagojë shteti i Kosovës, se si do të veprojë qeveria në detyrë në raport me këto zhvillime të fundit”, theksoi ai.
Kasolli shtoi se udhëheqësit e rinj komunalë janë ankuar edhe për gjendjen administrative që kanë gjetur nëpër zyra.
“Pamë ankesat e tyre edhe ndaj përfaqësuesit të BE-së. Unë nuk besoj se është ashtu, mirëpo po bazohem në deklarime zyrtare: ata thonë se nuk kanë gjetur asgjë në komunat që i kanë marrë në menaxhim, situata ka qenë një vakum i madh. U ankuan që nuk kanë gjetur as mjete pune, kanë filluar shkarkimin e drejtorëve dhe po ashtu edhe të punëtorëve administrativë, pra jo politik, të cilët kanë qenë në emërim nga pushteti i kaluar”, tha ai.
Në fund, Kasolli paralajmëroi se situata mbetet e brishtë dhe se ekziston rreziku i përshkallëzimit.
“Në këtë drejtim ekziston një frikë se mund të përshkallëzohet në komunat veriore në mënyrë që të ngrihet adrenalina elektorale”, përfundoi ai.