Analisti Afrim Kasolli ka komentuar procesin e zgjedhjeve lokale në Kosovë gjatë emisionit ARB Debat të Arberia TV, duke vënë theksin te dimensionet e ndryshme të tyre në pjesën shqiptare dhe atë veriore.
“Dimensioni i parë i këtyre zgjedhjeve është se u zhvilluan duke i plotësuar të paktën në pjesën shqiptare, në anën tjetër sa i përket pjesës veriore janë ngritur disa dilema por mbetet tash të adresohen ndërkohë,” tha Kasolli.
Ai theksoi se në veri kishte pasur një votim kolektiv, të organizuar nga zyrat e Listës Serbe drejt qendrave të votimit, gjë që sipas tij është “në kundërshtim me logjikën demokratike të vullnetit të secilit individ që të marrë pjesë”.
Kasolli shtoi se në pjesën shqiptare procesi ishte demokratik dhe nuk përsëriti problemet e zgjedhjeve nacionale të mëparshme.
“Në pjesën shqiptare ishin në pjesën demokratike, edhe në anën tjetër që nuk u përsërit ajo hallakama, që nuk u përsërit ajo që ndodhi pas përfundimit të zgjedhjeve nacionale që u krijua një kaos për shkak të rënies së serverave në KQZ”.
Ai komentoi edhe qëndrimet e partive politike pas zgjedhjeve.
“Grupet drejtuese të subjekteve politike po mundohen ta justifikojnë vetveten, që të shfajësojnë vetveten dhe të interpretojnë si të kënaqshme këto rezultate. E pash dje Lidhja Demokratike e Kosovës në mbrëmje pati një komunikatë, një qëndrim që i konsideron fitore për këtë subjekt, sepse ka arritur suksesin më të madh electoral që një kohë të gjatë nëpërmjet asambleve komunale dhe në anën tjetër poashtu sot kemi një komunikatë identike thuajse nga Partia Demokratike e Kosovës që e konsideron një ndër rezultatet më të befasishme, më të mira për këtë subjekt politik”.
Kasolli përmendi edhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe kritikat e saj:
“Nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kemi parë një qëndrim konkret përpos sulmit që pati kryeministri ndaj agjencive të hulumtimit publik se kanë dashur ta deformojnë vullnetin e qytetarit e që ishte tendencioze… në këtë kuptim edhe Lëvizjen Vetëvendosje e shoh si subjektet e tjera që mund t’i japin argumentet se nuk ka arsye të jetë i kënaqur me këtë rezultat.”