Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Kasolli: Memli Krasniqi u largua nga mungesa e kapaciteteve për t’i frenuar përçarjet brenda PDK-së

Kasolli: Memli Krasniqi u largua nga mungesa e kapaciteteve për t’i frenuar përçarjet brenda PDK-së

Kasolli zbërthen qëllimet e Bedri Hamzës si kryetar i PDK-së

Analisti Afrim Kasolli në ARB Debat me Rid Berisha analizon në detaje lëvizjen e fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke shpjeguar pse zgjedhja e Bedri Hamzës nuk është thjesht një “kapitull i ri”, por një tentim për të ndalur shpërbërjen e brendshme të partisë.

Kasolli: Jo kapitull i ri, por përpjekje për të ndalur fragmentarizimin

Sipas analistit Afrim Kasolli, zgjedhja e Bedri Hamzës në krye të PDK-së nuk duhet parë vetëm si fillim i një epoke të re, por si një lëvizje urgjente për të frenuar ndarjet e brendshme të partisë.

Ai thekson se vetë zyrtarët e PDK-së e kanë pranuar se partia ka qenë në krizë të brendshme.

Kasolli shprehet: “Më shumë se kapitull i ri për PDK-në, siç tentuan ta cilësojnë shumica e atyre që e vlerësuan zgjedhjen që bëri, mua më duket më shumë një përpjekje që të ndalet fragmentarizimi i brendshëm i këtij subjekti politik. Sepse të gjithë e pranuan pa përjashtim publikisht, të gjithë thanë se ‘është momenti i bashkimit të PDK-së’”.

Pse erdhi dorëheqja e Memli Krasniqit?

Kasolli thotë se largimi i Memli Krasniqit ishte i pashmangshëm pasi ai nuk kishte më kapacitetet për të menaxhuar përçarjet që po thelloheshin dita-ditës.

Sipas tij, Krasniqi ishte i vetëdijshëm se situata kishte arritur në një pikë ku nuk mund të kontrollohej më.

“Dorëheqja erdhi, sepse edhe Memli Krasniqi ishte i vetëdijshëm që nuk ka më kapacitete dhe nuk ka mundësi t’i menaxhojë këto fragmentarizime që po shkallëzoheshin gjithnjë e më shumë.”

Kasolli: Me kryetarin e ri Bedri Hamzën, në PDK nuk pritet ndonjë rezultat spektakolar në zgjedhjet e ardhshme

Analisti paralajmëron se testi më i madh i Hamzës do të jetë në zgjedhjet nacionale.

Qëllimi i tij kryesor nuk do të jetë të arrijë një rezultat spektakolar kundër Kurtit, por të ruajë stabilitetin e brendshëm të PDK-së.

Kasolli: Sot PDK Lufton të ruaj pozicionin superior me LDK-në, jo me VV-në

Kasolli thekson se PDK tash për tash nuk është në garë të drejtpërdrejtë me Vetëvendosjen, por me LDK-në:

“Për bindjen time, sot PDK lufton që ta ruajë pozicionin e saj superior në raport me Lidhjen Demokratike të Kosovës, jo me Lëvizjen Vetëvendosje.”

“PDK dëshmoi se aktualisht sfidën më të madhe e ka vetveten jo oponentët politik”

Sipas Kasollit, PDK ka treguar se problemi më i madh i saj nuk janë kundërshtarët politikë, por vetja.

Nëse partia nuk arrin të menaxhojë tensionet e brendshme, pasojat mund të jenë serioze dhe afatgjata për të ardhmen e saj politike.

Kasolli shton edhe një vërejtje lidhur me skenën politike të Kosovës, duke theksuar se Albin Kurti ka qenë kryeministri më pak i penguar në historinë e vendit.

Sipas tij: “Në historinë e Kosovës nuk ka pasur një kryeministër që ka qeverisur më pak i sfiduar dhe më pak i penguar sesa Albin Kurti.”/TV Arbëria