Analisti Afrim Kasolli në “Arb Debat” ka thënë se brenda Partisë Demokratike po zhvillohet një debat i madh, sidomos pas fitores së Ramiz Lladrovcit në Drenas dhe moskandidimit të tij nga kjo parti.
“Në PDK ka shpërthyer një debat, mendoj që në masë të madhe, dhe kjo do ta kristalizojë të ardhmen politike të këtij subjekti, edhe paraprakisht, por prej momentit kur Ramiz Lladrovci i fitoi zgjedhjet, ai po insiston që është anëtar i Partisë Demokratike. Ndërkohë, kryesia e këtij subjekti politik po insiston që ai tashmë e ka krijuar shtëpinë e tij politike dhe nuk ka vend në këtë subjekt politik. Janë këto dy qasje, do të thotë, Lladrovci që thotë ‘jam në PDK’, dhe Memli me kompaninë e tij që i thonë ‘jo, tashmë ti je divorcuar me shtëpinë tradicionale politike’”, ka deklaruar Kasolli.
Sipas tij, kryesia e PDK-së është ilegale, pasi, siç thotë Kasolli, nuk ka pasur zgjedhje të brendshme për një kohë të gjatë.
“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është ilegale aktualisht. Nëse gjashtë vjet nuk janë mbajtur zgjedhjet e brendshme…”
Biles, Kasolli bën një krahasim me qeverisjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti me atë të Memli Krasniqit në PDK.
“Mënyra se qysh Memli Krasniqi është kryetar i PDK-së është e njëjtë sikur Albin Kurti po ta qeveriste Kosovën edhe katër vjet me mandatin e Kuvendit të kaluar,” tha Kasolli në “Arb Debat”. /TV Arbëria