Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar pas publikimit të të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të cilat tregojnë se norma e inflacionit në Kosovë ka arritur deri në 6 për qind.
Sipas Kasollit, që nga publikimi i këtyre të dhënave, por edhe më herët, janë shtuar kritikat dhe dyshimet publike për mënyrën se si një qeveri që përballet me vështirësi ekonomike arrin të ruajë një mbështetje të konsiderueshme elektorale.
Ai thekson se është e drejtë e analistëve, opinionistëve dhe përfaqësuesve të opozitës të habiten me këtë situatë, duke e cilësuar atë si një lloj paradoksi politik. Megjithatë, sipas tij, këto reagime tregojnë se shumë prej tyre ose refuzojnë, ose nuk e kanë kuptuar arsyen kryesore politike të fitores së kryeministrit Albin Kurti, pavarësisht kritikave për performancën ekonomike të qeverisë.
Kasolli argumenton se në masë të madhe Kurti ka arritur sukses politik sepse ka dominuar narracionin për “çlirimin” dhe shtrirjen e sovranitetit në veriun e vendit.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse kryeministri ka arritur të përballojë edhe presionet ndërkombëtare, përfshirë izolimin dhe sanksionet, pasi një pjesë e qytetarëve i kanë parë këto pasoja si një “të keqe të domosdoshme” në funksion të një qëllimi më të madh sovranist.
Në këtë kontekst, Kasolli vlerëson se qasjet kritike që fokusohen vetëm në aspektin ekonomik dhe në logjikën e konsumit qytetar atë që ai e quan “homo consumus” vështirë se mund ta dëmtojnë ndjeshëm ndikimin politik të Kurtit në opinionin publik.