Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar ndaj paralajmërimeve për një valë të re të shtrenjtimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar qasjen e Qeverisë si përpjekje për ta shmangur përgjegjësinë për dështimet e saj në sektorin energjetik.
Sipas Kasollit, diskursi aktual institucional synon të krijojë përshtypjen se rritja e çmimit të rrymës nuk është pasojë e keqmenaxhimit qeveritar, por një proces i pashmangshëm, për të cilin fajin po ua lë qytetarëve.
“Ky ligjërim tregon se shtrenjtimi po paraqitet si i pashmangshëm, ndërsa përgjegjësia po zhvendoset te qytetarët, të cilët akuzohen se kanë dëshira për më shumë komoditet sesa ‘lejohet’”, ka shkruar Kasolli.
Ai shton se, sipas kësaj logjike, zgjidhja për krizën energjetike po kërkohet te rikthimi i praktikave të vjetra të racionimit të energjisë elektrike, të ngjashme me ato që aplikoheshin në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar.
Kasolli ironizon më tej duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të shtrihet edhe në fusha të tjera të jetesës. “Mbase nesër do të na kërkohet të ushqehemi më pak, të konsumojmë më pak ujë dhe të pastrohemi më pak, si masa parandaluese për të penguar shtrenjtimin e çmimeve edhe në këto produkte”, thekson ai.
Sipas analistit, një diskurs i tillë jo vetëm që shmang përgjegjësinë institucionale, por rrezikon të normalizojë varfërimin dhe uljen e standardit të jetesës si zgjidhje për problemet strukturore të vendit.