Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Kasolli: Kriza po legalizohet – Kuvendi në qorrsokak – Kurti nuk ofron dëshmi tjetër për dorëheqje nuk i nënshtrohet kërkesave të opozitës

Kasolli: Kriza po legalizohet – Kuvendi në qorrsokak – Kurti nuk ofron dëshmi tjetër për dorëheqje nuk i nënshtrohet kërkesave të opozitës

Analisti politik Afrim Kasolli, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar se vendi po kalon në një fazë ku kriza politike po legalizohet.

“Në situatën në të cilën ndodhemi, Kuvendin e shoh në një qorrsokak dhe nuk duket që ka ndonjë shteg dalje,” deklaroi Kasolli në emisionin ARB Debat me Rid Berishën.

Ai shtoi se situata aktuale mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, nëse nuk arrihet një zgjidhje në kohë.

“30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, nëse Kuvendi dështon të konstituohet, Presidentja është e obliguar të shpallë zgjedhje të reja,” theksoi ai.

Kasolli kritikoi ashpër veprimin e partive opozitare, duke e cilësuar atë si të ngutshëm dhe të pakalkuluar.

“Duket që ky ka qenë mbase një veprim i ngutshëm i partive politike opozitare. Nuk i kanë kalkuluar pasojat që mund t’i krijojë ky bllokim, ose në fund të fundit, nuk e dimë, por ato mund të kenë interes të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme,” u shpreh Kasolli.

Në deklaratën e tij, Kasolli theksoi se Albin Kurti nuk do të tërhiqet, duke e cilësuar çështjen e dorëheqjes si të përfunduar nga ana e tij.

“Një gjë duhet ta kemi të qartë – dhe e them me kompetencë: Albin Kurti nuk ofron dëshmi tjetër për dorëheqje. Nuk krijon përshtypjen se po i nënshtrohet kërkesave të opozitës. Ai e ka përmbyllur këtë detyrim, e ka njoftuar kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe nuk diskuton më për këtë temë,” tha ai.

Sipas Kasollit, situata aktuale përfaqëson një krizë pa shteg dalje politike, e cila rrezikon të përshkallëzohet në mungesë të një kompromisi të shpejtë ndërmjet forcave politike.