Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kasolli kritikon Kurtin: Maqedonia e Veriut nuk ka qenë kurrë më e ekspozuar ndaj ndikimit serb se sot

Kasolli kritikon Kurtin: Maqedonia e Veriut nuk ka qenë kurrë më e ekspozuar ndaj ndikimit serb se sot

Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili gjatë një interviste në Kanal 10 tha se partneriteti i tij me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhet me faktin se ky i fundit nuk ka shfaqur kompleks inferioriteti ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kasolli vlerësoi se raportet psikologjike ndërmjet liderëve politikë nuk janë çështje që i përkasin analizës politike, por theksoi se ekziston një realitet politik që, sipas tij, nuk mund të mohohet.

Sipas Kasollit, Serbia nuk ka qenë asnjëherë më e pranishme në Maqedoninë e Veriut gjatë tri dekadave të fundit sesa aktualisht. Ai pretendon se ky shtet është shndërruar në një hapësirë ku promovohen interesat e ashtuquajturës “botë serbe”.

“Maqedonia e Veriut nuk ka qenë kurrë më e ekspozuar ndaj ndikimit serb sesa sot. Anti-shqiptarizmi dhe anti-bullgarizmi i VMRO-DPMNE-së janë kanalizuar edhe në formën e anti-evropianizmit”, ka deklaruar Kasolli.

Ai shtoi se qasja e kryeministrit Mickoski e afron më shumë me konceptet politike të promovuara nga Aleksandar Vulin sesa me orientimin euro-atlantik, duke argumentuar se kjo është edhe më problematike sesa një raport i mundshëm inferioriteti ndaj Vuçiqit.

Sipas Kasollit, ndryshe nga Vulin, presidenti serb Vuçiq të paktën vazhdon të promovojë publikisht idenë se synimi strategjik i Serbisë mbetet integrimi në strukturat euro-atlantike.