Analisti Afrim Kasolli ka reaguar ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila nuk është deklaruar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Ai e ka cilësuar si “të çuditshëm” këtë qëndrim të heshtur, duke shtuar se Osmani, si presidente dhe garante e funksionimit demokratik të shtetit, do të duhej të reagonte, apo të paktën të ftonte subjektet politike që të respektojnë detyrimet kushtetuese.
“Është e çuditshme heshtja ‘kushtetuese’ e presidentes Osmani, e cila si institucionaliste dhe garantuese e funksionimit demokratik të shtetit, as që e ka marrë mundin të paktën të kërkojë nga subjektet politike që të sillen në pajtim me detyrimet kushtetuese,” ka deklaruar Kasolli.
Sipas tij, kjo heshtje mund të jetë më domethënëse sesa një deklaratë publike: “Apo mbase me këtë heshtje po flet më shumë sesa që do të shprehej publikisht?”, ka shtuar ai, duke lënë të nënkuptohet një kritikë ndaj mungesës së transparencës institucionale.
Gjykata Kushtetuese, përmes një aktgjykimi të shpallur dje, ka hedhur poshtë votimin e fshehtë të iniciuar nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, duke sqaruar se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur. /TV Arbëria