Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kasolli kritikon ashpër menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë: LDK importoi kryetar nga Londra apo Bangladeshi?

Kasolli kritikon ashpër menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë: LDK importoi kryetar nga Londra apo Bangladeshi?

Analisti Afrim Kasolli ka reaguar me tone të ashpra ndaj gjendjes së menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë, duke e cilësuar si “shemti” gjendjen aktuale në kryeqytet nën drejtimin e kryetarit Përparim Rama.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Kasolli shprehet se ende “mbetet enigmë” nëse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka “importuar” Ramën nga Londra apo nga Bangladeshi, duke aluduar në kontrastin e madh mes premtimeve për një kryeqytet modern dhe realitetit të papastruar të qytetit.

“Sepse kjo shemti në menaxhimin e mbeturinave nuk ka asgjë të përbashkët me imazhin e qendrave të zhvilluara urbane, të cilën kryetari aktual premtonte se do ta promovonte,” shkruan Kasolli.

Ai shkon më tej duke e konsideruar kandidimin dhe zgjedhjen e Ramës si një “mashtrim të madh të LDK-së”, të realizuar përmes, siç thotë ai, “ofrimit të një kuadri të dyshimtë” në zgjedhjet lokale të fundit.

Kasolli paralajmëron se një “eksperiment” i tillë do të mund t’i kthehet si bumerang LDK-së në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte.

Po ashtu, ai kritikon edhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për mungesën e distancimit nga kryetari Rama, duke sugjeruar se fati politik i Abdixhikut është i lidhur ngushtë me atë të Ramës. Si një ndër arsyet, ai përmend edhe mbështetjen financiare të fushatës elektorale të LDK-së në zgjedhjet e kaluara, duke aluduar në “projekte futuristike të sajuara nga inteligjenca artificiale”. /TV Arbëria