Analisti Afrim Kasolli ka vlerësuar se ngjarja më e rëndësishme për Kosovën nuk lidhet me fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit dhe as me premtimet politike, por me raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili sipas tij i ka bërë thirrje Kosovës që të shqyrtojë projektet që lidhen me gazifikimin e qymyrit.
Sipas Kasollit, një investim i tillë do të mund ta transformonte Kosovën në një fuqi energjetike rajonale dhe evropiane, duke theksuar se gara për burime energjetike sot është një nga faktorët kryesorë të tensioneve globale.
“Secila prej partive politike që garon në këto zgjedhje duhet të ketë një përgjigje të qartë për këtë çështje. A do t’i japin përparësi shqetësimeve ambientaliste duke e lënë vendin përjetësisht të varur, apo do ta shndërrojnë Kosovën në ‘Katarin e Ballkanit Perëndimor’?”, ka thënë ai.
Kasolli ka përmendur edhe qasjen e mundshme të qeverisë aktuale ndaj investimeve amerikane në sektorin energjetik, duke e lidhur këtë me refuzimin e mëhershëm të projektit të termocentralit të ri nga kompania ContourGlobal dhe projekteve që lidhen me gazin amerikan.
Tutje, ai ka paralajmëruar për rrezikun që Kosova, në emër të mbrojtjes së pasurive nëntokësore, të vazhdojë të refuzojë projekte strategjike, ndërsa njëkohësisht të mbetet e varur nga burime të jashtme energjetike.
“Sipas tij, në një skenar të tillë, përfitues mund të jenë vendet e rajonit, përfshirë Serbinë dhe aktorë të tjerë që ai i konsideron jo miqësorë ndaj Kosovës.”