Analisti i çështjeve politike, Afrim Kasolli ka komentuar deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, shkruan TV Arbëria.
Analisti komenton ndër vite deklaratat e amabasadorit amerikan, në Serbi, dhe thotë se ky i fundit tashmë është shndërruar në një burim të reagimeve masive në vend.
Kasolli komenton dhe reagimin e presidentes Vjosa Osmani, ndaj deklaratave të Christopher Hill.
“Me një reagim gati histerik presidentja Vjosa Osmani i replikoi ashpër Hillit për atë deklaratë, pavërisht faktit se në terma teknik e vërteta qëndron ashtu siç kishte pohuar zyrtari amerikan. E para e shtetit, pat deklaruar se “Ekziston vetëm një shtet më larg NATO-s se sa Serbia dhe ajo është Rusia. Një shtet si Serbia i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, lëre që është larg NATO-s por as që mendojë një ditë që të jetë pjesë e NATO-s. Kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.
Ky reagim agresiv i presidentes Osmani mbase kishte të bënte edhe faktin, se ai pohim e kishte çmontuar iluzionin saj dhe të pushtetit në përgjithësi, se mjafton solidarizimi i pakusht me luftën mbrojtëse të Ukrainës dhe dënimi i Putinit për ta shndërruar atë edhe në sukses diplomatik për shtetin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Pra sipas dyshesh Osmani-Kurti, mjafton që këta janë me Volodymyr Zelensky-in, kurse presidenti serb Aleksandar Vuçiq me atë rus dhe çdo gjë do të jetë në rregull. Mirëpo, asgjë nuk e ka demantuar këtë politikë naive më shumë se vizita e Zonjës së Parë të Ukrainës, Olena Zelenska, dhe ministrit të Jashtëm të këtij shteti, Dmytro Kuleba, në kryeqytetin serb”, ka shkruar Kasolli.
Krejt në fund Kasolli analizon deklaratën e djeshme të ambasadorit, ku tha se “njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të”, sipas analistit kjo deklaratë është një e vërtetë tjetër “brutale”.
“Ndërkohë, i njëjti diplomat u dallua përsëri dje më një të vërtetë tjetër “brutale”. Ai në një intervistë për një media lokale në Serbi, ka pohuar se “se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të”. Me këtë rast Christopher Hill nuk ka deklaruar se ky është qëndrimi zyrtar i Uashingtonit, por i BE-së, ku edhe po zhvillohet procesi i dialogut ndërmjet dy vendeve.
Natyrisht, edhe ky reagim nuk u mirëprit nga pushteti. Mirëpo, kjo nuk e zhbën faktin se një qëllim i tillë ndodhet i brendashkruar në Marrëveshjen bazike të Brukselit dhe planin e zbatimit të Ohrit të dakorduar vitin e kaluar nga kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq.
Askund në këto dokumente nuk flitet për njohje të ndërsjellë, por vetëm për normalizim të raporteve ndërmjet dy vendeve. Kurse termi njohja de facto e Kosovës nga Serbia u shpik vetëm si eufemizëm diplomatik për ta mjegulluar opinionin për mungesën e njohjes së njëmendtë”, ka shkruar Afrim Kasolli. /TV Arbëria
Lexo shkrimin e plotë: