Analisti Afrim Kasolli, në “ARB Debat” në TV Arbëria, me Rid Berishën ka folur për vizitën e shefit të NATO-s në Kosovë, Mark Rutte.
Kasolli ka thënë se Kosova ndodhet në një situatë diskutabile dhe ka dhënë dy arsyet kryesore për vizitën e shefit të NATO-s në Kosovë.
“Kosova ndodhet në një situatë diskutabile sa i përket ambientit post-zgjedhor, dhe nëse e përcjellim një deklaratë të mëhershme, dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se, siç duket, qytetarët e Kosovës votuan për një qeveri të koalicionit dhe jo ashtu siç ka qenë deri më tani. Dhe këto kërcënimet e sigurisë që mund të vijnë nga Serbia, por edhe situata e paqartë në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mund të jenë dy arsyet kryesore që mund ta kenë motivuar zotin Rutte të vizitojë Kosovën dhe të informohet se si po shkon procesi i konsolidimit të institucioneve të reja të Kosovës. Dhe për ta tërhequr vëmendjen që nuk duhet të tolerohet dhe nuk duhet të nxitet, sepse NATO ka pasur kritika edhe ndaj Prishtinës për shkak të aksioneve në veri. Nuk është se kritika të tilla janë bërë vetëm ndaj Serbisë,” ka thënë Kasolli në “ARB Debat”.