Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me mungesën e një marrëveshjeje ndërpartiake për çështjen e presidentit.
Kasolli ka thënë se justifikimi i sotëm i Kurtit, se pse nuk ka marrëveshje politike me partitë tjera për temën e presidentit, e verifikon plotësisht se vetë ai ka qenë arsyeja kryesore e dështimit të negociatave.
Sipas tij, Kurti deklaroi se “nuk mund t’ua japë atyre atë pozitë që nuk ua ka dhënë populli”, duke nënkuptuar se partitë opozitare nuk kanë mandat që ta kenë kandidatin e tyre për president.
Kasolli vlerëson se kjo qasje tregon se Kurti gjatë gjithë kohës ka kërkuar nënshtrim të segmenteve tjera politike ndaj tij, duke e paraqitur veten si përfaqësues të vetëm të popullit. Sipas tij, në këtë mënyrë partitë tjera vendosen në pozitë që, nëse i kundërvihen Kurtit, atëherë sikur i kundërvihen edhe vetë popullit.
Megjithatë, Kasolli thekson se ky standard logjik bie në kundërshtim me parimet demokratike, pasi – sipas tij – populli nuk ia ka dhënë mandatin as Kurtit që ta ketë presidentin sipas preferencave të tij.
Ai shton se, po ta kishte fituar këtë privilegj drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve, Kurti nuk do të kishte nevojë për mbështetjen e partive opozitare.