Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Kasolli: Iluzioni i ri i opozitës se Vjosa Osmani mund të jetë shpëtim për të

Kasolli: Iluzioni i ri i opozitës se Vjosa Osmani mund të jetë shpëtim për të

Shkruan: Afrim Kasolli

Nuk mund të mohohet fakti se që nga agravimi i konfliktive ndërmjet Presidentes Vjosa Osmani si dhe kryeministrit Albin Kurti, partitë opozitare janë zbutur në raport me të paren e shtetit. Ndonëse jo në mënyrë të hapur, por megjithatë vërehet një lloj solidariteti i heshtur politik me Presidenten. Sic duket jane tunduar nga kalkulimi se ky antagonizëm do të rezultojë në vetë rrënimin e tyre dhe në këtë mënyrë do të mund të përfitojnë nga kjo situatë.

Megjithatë, kjo shpresë naive tregon sesi deri me tani partitë opozitare nuk kanë mësuar asgjë nga humbja e tyre. Madje kjo tregon se të njëjtat as që kanë projekt si ta sfidojnë politikisht Albin Kurtin dhe te dalin nga vegjetimi i tyre pasiv.

Qe kur të njëjtat e kanë humbur pushtetin asnjëherë nuk kanë pasur plan dhe bindje se mund ta mundin Albin Kurtin. Pretendonin se i njëjti do të dështojë vetë nga pamundësia për t’u dhënë zgjidhje problemeve në Kosovë. Se qytetarët do të frustroheshin nga keq menaxhimi i Lëvizjes Vetevendosje dhe se pushteti do t’u vinte me automatizem. Po ashtu, enderronin se për shkak të dialogut me Serbinë, Qeveria e Kosovës do të konfrontohet me partnerët ndërkombëtarë dhe nuk mund ta përballojë presionin e tyre.

Por si njëra pandehme, ashtu edhe tjetra, tashmë u deshmua se kanë qenë gabim. Prandaj, tash e vetmja mundësi u ka mbetur acarimi i Vjosa Osmanit me kryeministrin.

Megjithatë, edhe ky besim shumë shpejt do të kuptohet se nuk është asgjë tjetër, vetëm se një iluzion i radhës. Sepse fitorja e opozitës nuk mund të arrihet ndryshe pos duke e “imituar” pushtetin. Sot ato nuk prodhojnë aktivizem politik për partinë, por lojalitet për individë të fuqishem brenda tyre. Prandaj janë të dobëta si struktura politike, por me klane të fuqishme brenda tyre. Kjo edhe është arsyeja se pse të njëjtat nuk kanë projekt të përbashkët politik se si duhet të luftohet pushteti. E ne këtë drejtim nuk mund t’u ndihmoje as Vjosa Osmani. Sepse ajo është njëra në mesin e tyre, qe e ka shkaterruar frymën e aksionit politik për përfitime personale. Kjo edhe është arsyeja qe ajo sot është e “fuqishme” individualisht, por e dobët politikisht.