Analisti politik në vend Afrim Kasolli, ka komentuar thirrjet e krerëve të partive politike në Kosovë, për diasporën që të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, shkruan TV Arbëria.
Kasolli thotë që këtë praktikë fillimisht e kishte nisur kreu i shtetit, Albin Kurti.
“Në takimin e fundit, të nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë, drejtuesi i Vetëvendosjes deklaroi se “vota për të parët është e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave e parimeve demokratike, të solidaritetit e të gjithë përfshirjes, të të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit, të drejtësisë sociale e të pluralizmit politik. Këto janë të kërcënuara çdo ditë e më shumë nga rrymat e djathta radikale që tentojnë të na rikthejnë në periudhat e zymta dhe të errëta të shekullit të kaluar, por edhe nga parti të djathta që në vend se të distancohen, koketojnë me ta”’, ka shkruar Kasolli.
Analisti nuk pajtohet me arsyetimet e krerëve të partive të cilat po bëjnë thirrje për votimin e partive të majta në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilët thonë se me këtë do të ketë më shumë siguri edhe për Kosovën.
“Sidoqoftë, secili prej arsyetimeve që i kanë përdorur të tre liderët kryesorë politikë në thirrjen e tyre drejtuar diasporës, së për cilën grup ideologjik të partive evropiane duhet të votojnë, qëndron në shpërputhje me realitetin politik dhe rrugëtimin historik të shtet-ndërtimit të Kosovës”, shkruan Kasolli.
“E para nuk qëndron teza e Kryeministrit Kurti se vetëm partitë e djathta janë duke koketuar me të djathtën e ekstreme dhe se për shkak të këtij bashkëpunimi janë duke i rrezikuar arritjet e demokracisë. Sepse edhe ato që konsiderohen si parti të majta janë duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë në taborin e së djathtës. Kohë më parë gazeta e njohur britanike “The Guardian” në shkrimin “Adopting rightëing policies ‘does not help centre-left ëin votes” konstatonte , se pikërisht shpresa e formacioneve të qendrës sociale demokrate për ta fituar mbështetjen në opinion ka ndikuar që këto të fundit t’i adaptojnë politikat e krahut të djathtë për tema sikur se emigracioni, ekonomia etj etj”, shkruan tutje ai.
Sipas Kasollit kjo logjikë e partive në Kosovë është e paqëndrueshme.
“Po ashtu, është e paqëndrueshme edhe teza e liderëve opozitarë se Kosova mund të jetë më i sigurt dhe të ketë perspektive më të mirë evropiane, vetëm nëse vetëm fitojnë partitë e djathta. Një ngjarje madhore në historinë moderne të Kosovës e dëshmojnë të kundërtën. Në kohën kur kishte ndodhur intervenimi i NATO-së, kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, shumica e qeverive në shtetet perëndimore ishin me orientim majtist. Pra identiteti i tyre ideologjik nuk u bë pengesë për t’i dalur në ndihmë Kosovës në çastet me të errëta të saj”, shkruan Afrim Kasolli. /TV Arbëria