Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kasolli: Formimi i institucioneve dhe krijimi i qeverisë, sfida për Kosovën pas zgjedhjeve

Kasolli: Formimi i institucioneve dhe krijimi i qeverisë, sfida për Kosovën pas zgjedhjeve

Analisti politik Afrim Kasolli, i ftuar në emisionin ARB Debat me Rid Berishën, prodhim ky i TV Arbëria, ka deklaruar se është i bindur që formimi i institucioneve dhe krijimi i një qeverie do të përbëjë një sfidë të madhe për Kosovën, për shkak të disa problemeve që ajo po kalon.

Ai theksoi se është vështirë që këto probleme të menaxhohen pa një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet të gjitha forcave politike, veçanërisht atyre që kanë interes të bashkëpunojnë për çështje të rëndësishme.

Kasolli shtoi se, sipas ish-dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, një takim i rëndësishëm po përgatitet pas zgjedhjeve, ku Bashkimi Evropian do t’i paraqesë një marrëveshje palëve të përfshira.

Gjithashtu, ai theksoi se administrata e re e Trump është e paparashikueshme në vendimmarrjen politike dhe se Kosova po përballet me disa sfida që aktualisht nuk po përmenden nga asnjë parti politike. Kasolli vuri në dukje se këto sfida, të cilat nuk janë shumë profitabile në aspektin elektoral, do të ndikojnë në formimin e institucioneve dhe koalicionit pas zgjedhjeve, dhe se këto çështje të mëdha politike do të jenë ato që do të ballafaqohet Kosova pas përfundimit të zgjedhjeve, ka deklaruar Kasolli në ARB Debat./tvarbëria/