Analisti politik Afrim Kasolli, në emisionin ARB Debat me Rid Berishën, ka thënë se partitë opozitare nuk do të bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Projeksionet politike që kryeministri Kurti i ka artikuluar si më herët ashtu edhe gjatë fushatës, të cilat ia ka vendosur vetes si mision politik në mandatin e ardhshëm, ai i ka ndarë në tri objektiva: çlirimi i Kosovës nga regjimi i vjetër, çlirimi po ashtu nga Lista Serbe dhe ballafaqimi me prokurorinë. Në këto rrethana, nuk e di asnjërën prej partive të tjera që do të ishte e gatshme të bënte koalicion me kryeministrin Kurti, duke marrë parasysh edhe sfidat ndërkombëtare,” ka thënë Kasolli.
Kasolli thekson se opozita nuk është e gatshme të krijojë institucionet në rast se Kurti nuk arrin të formojë Qeverinë.
“Edhe opozita nuk është e gatshme ta marrë barrën e krijimit nëse dështoni në kryeministri Kurti ta krijojë institucionet. Ne nuk kemi parë asnjë përpjekje, të paktën publike, që opozita të ketë ndërmarrë një hap konkret për të treguar se është e gatshme t’i prijë valles për krijimin e institucioneve. Nëse Kurti nuk arrin t’i krijojë institucionet, ata gjithashtu kanë mosmarrëveshje mes vete dhe nuk kanë një gjuhë të përbashkët,” ka theksuar ai.
Tutje, thotë se Hamza si kryeministër nuk do të kishte kapacitet për të menaxhuar dy figura si Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj.
“Nëse e marrim parasysh se këta kanë pasur një koalicion të përbashkët, koalicionin PAN, e kemi parë sa telashe është menaxhuar ai koalicion, sidomos kur kanë pasur vështirësi me menaxhuar njerëz si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që kanë qenë këtu. As që mund të imagjinohet që Bedri Hamza si kryeministër do të ketë kapacitet për t’i menaxhuar pretendimet e zotit Limaj dhe të zotit Haradinaj,” ka thënë Kasolli.
“Unë e shoh të pamundur një koalicion opozitar nëse kryeministri Kurti dështon,” tha Kasolli. /TV Arbëria