Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kasolli: Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se nuk kanë në plan reduktimin e trupave ndërkombëtarë në Kosovë…

Kasolli: Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se nuk kanë në plan reduktimin e trupave ndërkombëtarë në Kosovë…

Analisti Afrim Kasolli, i ftuar në “ARB Debat” në TV Arbëria, me Rid Berishën.

Kasolli ka thënë se administrata e re amerikane iu ka bërë thirrje vendeve evropiane që të punojnë drejt ndërtimit të kapaciteteve të tyre të sigurisë dhe të mos mbështeten vetëm tek ndihmat nga SHBA-të.

“Administrata e re amerikane iu ka bërë thirrje vendeve të NATO-s, sidomos të Bashkimit Evropian, që të zgjohen nga letargjia në të cilën ndodhen dhe të punojnë për të ndërtuar kapacitete vetanake të sigurisë dhe të mos mbështeten gjithmonë vetëm nga asistenca që iu ofron Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” ka thënë Kasolli.

Kasolli thotë se shefi i NATO-s ka një mesazh për vendet evropiane.

“Mesazhi i Rutte është i qartë që, pavarësisht këtyre dinamikave që po ndodhin në aspektin gjeopolitik, mos tundohuni nga aventurat e çastit. Mos provoni ta shkatërroni atë që e garanton NATO në rajon, sepse këtë nuk do ta lejojmë dhe është e papranueshme për NATO-në, për Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë,” thotë Kasolli.

Tutje, analisti thekson se ndaj Kosovës është bërë edhe njëherë e qartë mbështetja nga Departamenti amerikan i Shtetit.

“Edhe Departamenti amerikan i Shtetit, sidomos në rastin e Kosovës, ashtu si dhe ai i Mbrojtjes, ka deklaruar se as që kanë planifikime aktualisht ta reduktojnë numrin e trupave ndërkombëtarë në Kosovë, as që bëhet fjalë për një gjë të tillë. Përkushtimi i tyre për të garantuar sigurinë rajonale dhe sigurinë e këtyre vendeve vazhdon të mbetet në fuqi dhe se do ta ndjekin këtë agjendë për t’i penalizuar ata që kanë ambicie të tilla separatiste dhe sekuestruese,” ka thënë Kasolli në “ARB Debat”.