Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Kapitullimi politik i opozitës dhe rrezikimi i demokracisë

Kapitullimi politik i opozitës dhe rrezikimi i demokracisë

Shkruan: Afrim Kasolli- Me frikën dhe ankthin që janë duke e shpërfaqur ndaj mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme, nuk është befasi dhe çudi që kur të vjen koha e rregullt e tyre, partitë opozitare të dalin me një ofertë gjeneroze ndaj Albin Kurtit për mosmbajtjen e tyre deri në rrethana kur ato kalkulojnë dhe shpresojnë se ka ndryshuar disponimi publik.

Të pajtohen që ato nuk kanë nevojë të mbahen. Sepse populli ka vendosur një herë me 14 shkurt. Dhe deri në krijimin e kushteve tjera politike s’ka pse tentohet të ndërrohen këto role. Kështu në këtë intermexo të pafund liderët e opozitës të kenë mundësi të kënaqen me rolin e tyre formal opozitar, kurse pushteti të jetë komod me këtë inskenim. Të gjitha veprimet e tyre e reflektojnë këtë frikë nga zgjedhjet. Prandaj, ato janë të angazhuara më shumë sesa vet pushteti që t’i shmangin ato. Madje edhe në dëm të demokracisë dhe kushtetutshmërisë.

Në këtë kontekst, Lidhja Demokratike e Kosovës organizon spektakle të brendshme zgjedhore, por i bllokon nismat për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të (mos)vendimeve të Presidentes, sikur se bie fjala atë për mos emërimin e Kryeprokurorit të shtetit në kundërshtim me çdo procedurë demokratike dhe kushtetuese. Pra kjo parti pajtohet katërçipërisht me ligjin e Vjosës në vend të sundimit të ligjit.

E tëra kjo, sepse lidershipi politik i saj është i vetëdijshëm se dorëzimi i kësaj lënde do ta konfirmonte këtë abuzim juridik të Presidentes për interesa politike. Dhe kështu zgjedhjet e parakohshme do të ishin të pashmangshme. Mirëpo, për të shmangur këtë skenar ogurzi për të, Lumir Abbixhiku përkujdeset që ai ta sundojë partinë, kurse Vjosa shtetin. Madje, këtë logjikë kjo parti e kishte ndjekur që nga fillim i këtij mandati qeverisës. Ajo ishte pajtuar që t’ia dorëzonte të gjitha pushtetet koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, duke ia bërë kuorumin parlamentar në zgjedhjen e presidentes.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërmerr iniciativa të tilla, mirëpo në vazhdimësi është duke e bërë një shkelje tjetër demokratike. Ka kohë që ky formacion po i shpërfill detyrimet statutare, për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në parti. Dhe statuti i një partie politike është kushtetuta e brendshme e saj. Kjo shkelje është simptomë e një mentaliteti abuziv politik.

PDK-ja ka kohë që drejtohet nga struktura ilegale. Sepse këtyre aktuale ju ka skaduar mandati. Ndërkohë, zgjedhjet e brendshme as që duken në horizont. Pra vullneti politik i anëtarësisë së këtij formacioni sot është marr peng nga një grup i ngushtë i interesit nga frika prej zgjedhjeve të brendshme.

Sipas statutit të saj, përkatësisht nenit 96 mbi zgjedhjet, pikës 3 dhe 4. “Të gjitha organet e PDK-së i nënshtrohen procesit zgjedhor çdo katër vjet. Zgjedhjet mbahen në raunde të ndara, fillimisht për organet lokale, pastaj për ato qendrore dhe organet e tjera, ashtu siç është e paraparë me këtë Statut”. Nuk nevojitet dëshmi më e madhe se ky paragraf për të dëshmuar veprimet antidemokratikë të PDK-së.

Rrjedhimisht, një strukturë partiake që me një lehtësi të padurueshme e shpërfill vullnetin e brendshëm politik të anëtarësisë së saj, nuk do ta kishte asnjë telashe që nesër hipotetikisht të pajtohej t’u ndodh edhe qytetarëve të Kosovës e njëjta gjë. Sepse kështu kalkulon se mund ta ruaj më mirë pushtetin partiak.  E, mbase në këtë mënyrë këto dy parti duket sikur edhe po mjaftohen në ndarjen pushtetit të tyre në kryeqytet.

Kjo qasje ku ruajtja e pushtetit mbi partinë është me rëndësishmen se sa mbrojtja kushtetutshmërisë së vendit apo statutit partiak, për çka edhe janë duke u kujdesur më çdo kusht t’i shmangin ato procese që do ta cenonin këtë lloj të pushtetit, shënon një kapitullim politik të opozitës si dhe përbën një kërcim për demokracinë. Çka edhe mund të ndodh që nesër t’i thonë Albinit dhe Vjosës, mirë jemi në këtë situatë, prandaj nuk po e prishim këtë skemë të improvizimeve politike. Por e mira e kësaj loje jo demokratike mund te jetë, se mbase ajo mund ta shtrojë rrugën për një opozitë të duhur ndaj pushtetit.

/TV Arbëria

 

Themes by WordPress