Afrim Kasolli
Sipas mediumit Periskopi, tashmë ministri i Bujqësisë Faton Peci, i paska anuluar grantet bujqësore për familjarët e deputetes Fitore Pacolli si dhe këshilltarit të tij Naim Huruglica.
Megjithatë trajektorja e krejt këtij zhvillimi ka vënë në pah mënyrën e funksionimit të “regjimit të ri”. Fillimisht kur u zbulua ky skandal, nga dy aktivistët e LDK-së dhe u shndërrua në kryeteme publike, si deputetja Pacolli ashtu edhe ministri Peci, i filluan sulmet dhe kërcënimet me padi gjyqësore ndaj të gjithë atyre që e adresuan atë. U betuan se janë të pastër si loti dhe se nuk kanë gisht asgjë në këto përfitime familjare. Dhe se këto janë vendime të instancave që nuk janë kompetence e tyre. Ndërkohë, kërcënimet kaluan në shfajësim vetanak, ku përgjegjësia i takon sistemit, e jo atyre personalisht.
Kur as gjuha shantazhueze dhe as hedhja e drejt atyre që i subordinohen politikave të kabinetit ministror, nuk dha rezultate, atëherë së bashku edhe me eksponentë të tjerë të këtij pushteti, por edhe për dyshime për keqpërdorime tjera, duke përfshirë kontratat një burimore, sikur se rasti i djeshëm i ministrit të financave Hekruan Murati, filluan ta kërkojnë shpëtimin te krahasimi me “regjimin e vjetër”. Pra sipas tyre shoqëria duhet të ketë mirëkuptim për ta sepse ende këto raste të abuzimeve nuk janë në nivelin e pushteteve paraprake.
Mirëpo, duke qenë se asnjëra nga këto metoda nuk dha rezultat, por sa më shumë kohë kalonte aq më tepër shtohej presioni publik, atëherë, ministri Peci me një të rënë të lapsit paska vendosur t’i anulojë grantet e sipër cekura. Në këtë mënyrë ai vetëm sa e “pranoi fajësinë” si për temën në fjalë ashtu edhe për paralajmërimet me padi për shpifje. Sepse po të kishte qenë i bindur se çdo gjë është në pajtim me ligjin nuk do të ishte zmbrapsur.
Përgjithësisht, ky kalim nga njëri ekstrem në tjetrin, e nxori në sipërfaqe botëkuptimin “moral” të regjimit të ri. Ku për ta nuk është në parim i dënueshëm familjarizimi e klientelizmi, por ky fundit mund të zbatohet pa asnjë telashe me kusht që të mbahet i fshehur e larg syrit të publikut. Prandaj, edhe kjo tërheqje shënon një kapitullim të dyfishtë moral të këtij pushteti. /TV Arbëria